Musliu i përgjigjet Beqirit: Jeni pionera, mund t’ju japim helmeta se ju çani kokat me karrige

0
362

Partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës këtë pranverë e kanë nisur me mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme.

Përderisa PDK ka përfunduar Kuvendin zgjedhor nëpër degë e komuna, LDK po pritet që në muajin maj të nis këtë proces. Megjithatë ka edhe sulme mes dy partive. Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu në një deklaratë për Periskopin i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të LDK’së, Ismet Beqirit i cili ironizoi me partinë kundërshtare rreth këtyre zgjedhjeve.

Beqiri sonte në një emision televiziv tha se askush nuk po merret me zgjedhjet e brendshme të PDK’së, ndërkohë që për partinë e tij ka nisur interesimi ende pa filluar procesi.

‘’Ka edhe subjekt tjetër politik që mbi një vit mban zgjedhje dhe askush nuk merret me ta. Kur përdorin ndonjë grusht bëhet lajm, por nuk bëhet lajm kush do të jetë kryetari i tyre’’, ka thënë Beqiri në ‘Info Magazine’.

Por, ndryshe i është kundërpërgjigjur deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu. Ajo në një prononcim për Periskopin ia ka rikujtuar LDK’së një fjalë të urtë.

”Ai që nuk kujdeset për shtëpinë e tij e bezdisë edhe fqiun’’.

Musliu ka thënë se LDK duhet t’i shikojë punët e veta e jo të merret me procesin e brendshëm të PDK’së, që sipas saj është shumë i suksesshëm.

‘’Pra Ismet Beqiri dhe zyrtarët tjerë të LDK-së le të kujdesen për shtëpinë e tyre e mos të merren me procesin e brendshëm të partive tjera. PDK është duke e zhvilluar nje proces të brendshëm zgjedhor me shumë sukses. Gjithandej kemi një pjesëmarrje të paparë deri më tani në Kosovë. Po mbretëron një frymë e përparuar dhe demokratike. PDK ka një Stabilitet si në struktura edhe në elektorat që partitë tjera munden vetëm ta ëndërrojnë.’’, ka thënë Musliu.

Tutje ajo ia ka kujtuar rrahjen me karrige në një kuvend zgjedhor të 2006’s në LDK.

‘’Derisa LDK lufton për Kryetar, PDK ofron progam dhe platformë për zhvillim dhe integrim të vendit. E nëse flasim për grushta atëherë ne atyre mund t’ju dhurojmë helmeta se ata çajnë kokat me karrige. Jane pionira të këtij lloji kuvendi’’, thotë deputetja e PDK’së.

Musliu në fund pyet: Kush po zgjidhet kryetar i LDK-së? Isa, Fatmiri, Vjosa, Luta….. Hasa a Hysa??

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka rikujtuar atë që njihet si ‘Kuvendi i Karrigeve’ në këtë parti, duke thënë se ky ishte një mësim i mirë për ta.

“Unë besoj që viti 2006 është një storie që padyshim i ka bërë dëm LDK-së, por jemi mbushur mend sa që edhe ata që ishin iniciatorë e kanë parë që është gabim i madh që për interesa personale të dëmtohet subjekti politik sepse pasojat janë afatgjate”.

Për PDK’në kandidat i pakontestueshëm për kryetar është Kadri Veseli. Ndërsa LDK këtë vit do të përballet me një numër kandidatësh potencialë, ku përveç kryetarit aktual Isa Mustafës, favorit janë edhe Vjosa Osmani e Lutfi Haziri.