Mustafa: Posti i Presidentit do të jetë temë e diskutimit me AAK-në

Pas rreth një muaj, shefi i LDK-së viziton grupin parlamentar të LDK-së, në Kuvend.

Ka rreth një muaj që shefi i LDK-së, Isa Mustafa, nuk është parë tek Kuvendi i Kosovës. Kjo pasi i njëjti si edhe shefi i ekzekutivit , u infektua me virusin korona.

E tani kur Isa Mustafa është shëruar plotësisht, nën shoqërimin e dikujt, po i bën një vizitë grupit parlamentar në objektin e Kuvendit.

Mustafa në një intervistë për T7, ka folur për diskutimet që kanë pasur së fundi me partnerin e koalicionit.

E së fundi janë shtuar zërat, për futjen e Partisë Demokratike të Kosovës në koalicion. Mundësinë që koalicionit t’i bashkohet PDK, Mustafa nuk e mohon.

Mustafa u pyet edhe për postin e më se të diskutueshëm të presidentit.

“Jo nuk është akoma mirëpo do të jetë në qoftë se sfidohemi me të. Tani është çështja e presidentit Thaçi. Unë s’mund të them se si do të vendos gjykata, unë do të uroja që të mos ndodhë. Mirëpo  në qoftë se ndodhë, atëherë është një sfidë me të cilën ne do të ballafaqohemi. Në qoftë se nuk ballafaqohemi tani do të ballafaqohemi në shkurt të vitit të ardhshëm sepse në prill duhet të vijë presidenti tjetër”, tha ai.

Shefi i LDK-së, tha se me Haradinajn nuk e kanë diskutuar ende këtë pozitë.

Por, nuk mohon se do e pranojë një post të tillë nëse i ofrohet.

Posti i presidentit, ka qenë një nga arsyet që Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kishin stërzgjatur me muaj takimet, për një marrëveshje përfundimtare bashkëqeverisëse.