Mustafa: S’do të doja të sfidohemi për punën e presidentit si pasojë e Speciales

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim para gazetarëve ka thënë se nuk do të dëshironte që Kosova të sfidohej me punën e zgjedhjes së presidentit për shkak të ndonjë vendimi të Gjykatës Speciale.

Megjithatë ish-kreu i Qeverisë thotë se në rast se ndodh një gjë e tillë atëherë do të ulen me të gjithë të bisedojnë dhe të shohin se cila do të jetë rruga përpara.

Mustafa thotë se një temë të tillë se ka çelur asnjëherë me Thaçin.

“As skam biseduar kurrë me presidentin, dhe nuk i jap të drejtë vetes të bisedojë. Nëse ne sfidohemi, dhe nuk kisha dashur të sfidohemi, atëherë duhet të ulemi dhe të shohim se cila është rruga”, ka thënë kryetari i LDK’së.

I pyetur rreth ndonjë vendimi të mundshëm nga Prokuroria Speciale për punën e aktakzuave për Thaçin e Veselin, Mustafa ka thënë se askush s’di asgjë se çfarë po ndodh në Hagë.

“Askush ska informacione se cfarë po ndodh në Speciale. Askush se di kur do të veprojë me ngritje apo mos ngritje të aktakuzave. Ka mundësi që ajo të mos bëhet publike për një periudhë të caktuar”, ka shtuar tutje ai.