Mustafa takohet me ambasadorin italian, flasin edhe për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është takuar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi me të cilin kanë biseduar për zhvillimet politike në vend.

Sipas njoftimit për media, Mustafa e ka informuar ambasadorin Sardi për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë.

“Temat kyçe të takimit ishin dialogu me Serbinë, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, korrupsioni dhe rendi dhe ligji. Kryetari Mustafa ritheksoi qëndrimin që LDK-ja mbështetë dialogun me Serbinë, si dy shtete sovrane që njohin njëra-tjetrën, por se LDK nuk mbështetë ndryshimin e kufijve mbi të cilët është shpallur dhe njohur Pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Mustafa njoftoi Ambasadorin Sardi edhe për iniciativën e LDK-së për të bashkërenditur veprimet e nevojshme me të gjitha partitë opozitare për ta rrëzuar këtë qeveri përmes mocionit të mosbesimit.

Në fund, kryetari Mustafa falënderoi Ambasadorin Sardi për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme shtetformuese. Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri dhe zëdhënësi Besian Mustafa.