Mustafa takon ambasadorin francez: Duam zgjedhje të parakohshme

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, ku ka folur për qëndrimet e LDK-së dhe ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Mustafa në takim me Ambasadorin Chabert ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka deklaruar se kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm.

Po ashtu Mustafa i ka thënë ambasadorit francez se nuk marrin pjesë në bisedimet me Serbinë, pasi fillimisht jetike për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme dhe të pashmangshme.

Komunikata e plotë nga LDK:

“Mustafa e njoftoi Ambasadorin Chabert për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë.Qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë është i qartë. Kufijtë e Republikës së Kosovës, mbi të cilët është shpallur Pavarësia më 17 shkurt 2008 dhe mbi të cilët mbi 100 shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës, janë të panegociueshëm.

LDK nuk do të bëhet pjesë e grupit negociator sepse negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është detyrë dhe obligim i Qeverisë së Kosovës. Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri me përkrahje të gjerë në Kuvend; prandaj LDK kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme që janë jetike dhe të pashmangshme.

Ambasadori Chabert e falënderoi kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe vlerësoi rolin konstruktiv të LDK-së në proceset shtetformuese në Kosovë këto tri dekada. Në fund, Ambasadori Chabert njoftoi kryetarin Mustafa për një delegacion franko-gjerman që do të vizitojë Kosovën së shpejti për të diskutuar me akterët kryesorë politik para takimit të Parisit. Kryetari Mustafa shprehu kënaqësinë që LDK të pret në takim këtë delegacion” thuhet në njoftimin për media.”