Nagavci e VV’së: Do të angazhohemi që në seancën e radhës ta formojmë qeverinë

0
238

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor po konsiderohet si arsye e mjaftueshme për t’u funksionalizuar me komisione parlamentare dhe seanca plenare, përkundër ngecjeve në formimin e qeverisë. Udhëkryqi në të cilin gjendet Kosova me mungesë të buxhetit për vitit 2020, ka sjell kundërthënie mes atyre se a mundet, apo jo legjislatura e re të nis me punën duke mos pasur ekzekutivin e ri pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Se mund të ketë seanca të jashtëzakonshme, pa pasur Qeveri të re, nuk e mohon as nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Nagavci në një prononcim për KosovaPress, shpreson që seanca e radhës që mbahet të jetë për formimin e qeverisë, por thotë se si kryesia e re do të veprojnë sipas rregullores së Kuvendit.

Por kategorik kundër kësaj mundësie është ish shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili thotë ndër të tjera për KosovaPress, se projektbuxheti i vitit 2020 nuk mund të votohet pa u themeluar Qeveria e re.

Se me konstituimin e kuvendit janë hapur mundësitë që të ketë një seancë plenare, edhe pa u formuar Qeveria e re, e thotë Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ajo u shpreh për KosovaPress, se për ndonjë seancë të jashtëzakonshme plenare, barra i bie deputetëve të rinj, të cilët pasi të formohen komisionet parlamentare mund të draftojnë dhe procedojnë në kuvend për të miratuar.

Ndërsa, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu i tha KosovaPress-it se legjislatura e shtatë nuk mund të funksionalizohet plotësisht, pa formimin e qeverisë së re.

Edhe pse kanë kaluar mbi 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të formojë qeverinë e re, bashkë me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike. Kjo pasi në negociatat mes tyre janë shfaqur dallimet rreth ndarjes së pushtetit.