Nagavci i reagon Hotit për postin e presidentit

Posti i presidentit është shndërruar në një ‘mollë sherri’ për LDK-në e Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e koalicionit qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që ai të bëhet me marrëveshje të përbashkët, por LDK po kërkon që propozimi të bëhet nga ata.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci për Kosovapress beson se posti i presidentit nuk duhet të jetë kuadro i LDK-së.

“Jo domosdoshmërish duhet të jenë kuadro të LDK-së. Ne e kemi shprehur të qartë se do të dëshironim që të kemi një person i cili paraqet unitetin e popullit. Bashkë me LDK-në do të angazhohemi që të gjejmë një person, kandidat ose kandidate i cili në mënyrën më të mirë do të paraqiste unitetin e popullit”, thotë Nagavci.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti kishte thënë se në përpjekjet për koalicion qeverisës me Vetëvendosjen për të balancuar pushtet, LDK-së iu takon pozita e të parit të shtetit. Për këtë pozitë u shpreh se i kanë njerëzit më të respektuar të shoqërisë.

“Ne kemi 30 vite që jemi themeluar dhe në shumicën e kohës kemi qenë në qeverisje. Nëse i shihni kuadrot që i ka propozuar LDK për pozitat më të larta shtetërore, për kryeministër, për kryetar të Kuvendit dhe president janë njerëzit më të respektuar të shoqërisë…duke pasur parasysh këto ne do t’i ruajmë standardet në çdo rrethanë”, thotë Hoti.