Naim Bazaj paralajmëron telashe në kuvendin e PDK-së në Drenas

0
87

Naim Bazaj ka folur për zgjedhjet e brendshme në degën e Drenasit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar që të dielën gjatë Kuvendit Zgjedhor mund të ketë ‘telashe të mëdha’, nëse zgjedhjet ndikohen nga Qendra e PDK-së.

“Nëse do të ketë imponime nga Qendra e PDK-së, do të ketë telashe shumë më të mëdha se në nëndegë. Do ta lëshojmë shumica absolute kuvendin zgjedhor”, ka shtuar Bazaj.

Tutje, Bazaj ka treguar se në disa nëndegë të PDK-së në Drenas ka pasur probleme gjatë procesit zgjedhor.

“Interesimi ka qenë shumë i madh, por ka pas disa fërkime të vogla. Në Abri, Godancë e Gjorgjicë janë mundu me i mbyllë shkollat, ka pas konfrontime të vogla ndërmjet delegatëve. Në Çikatovë të Vjetër u tentua të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve”, ka thënë Bazaj në emisionin Frontal.

Kandidati për të parin e PDK në Drenas, ka deklaruar se shtyrja e zgjedhjeve në këtë degë është bërë që të mos ketë përçarje brenda partisë.

E Bazaj ka treguar se ka përkrahjen e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselin, për të marrë timonin e kësaj partie në Drenas.

“Pa pëlqimin e Kadri Veselit nuk do të hyja në garë, ai nuk dëshiron përçarjen e partisë në Drenas”, ka thënë Bazaj në Frontal . Zgjedhjet në degën problematike të PDK-së në Drenas mbahen këtë diele.