Napoli përgatit shitjen e Hysajt për 35 milion euro

Që Elseid Hysaj nuk është tipi i lojtarit që pëlqen Carlo Ancelotti, është kuptuar nga humbja e vendit të titullarit të mbrojtësit shqiptar në krahun e djathtë dhe nga zhvendosja e tij në të majtë në raste emergjente. Mirëpo kjo situatë duhet të marrë zgjidhje përfundimtare.

Sipas “TuttoSport”, drejtruesit e Napolit po planifikojnë shitjet e shkodranit gjatë afatit kalimtar të verës dhe do të jenë të kënaqur nëse nga kartoni i tij do të përftojnë 35 milionë euro. Klauzola e largimit të Hysajt është 50 milionë euro, por me situatën e re të krijuar që pas mbërritjes së Ancelotti, Napoli duhet ta ulë çmimin.

Nëse Murizio Sarri do të mbijetojë te Chelsea (skuadra londineze mund të fitojë Europa League dhe të sigurojë nëpërmjet këtij trofeu pjesëmarrjen në Champions), atëherë mund të rikthehet interesi i bluve të Londrës për Hysajn. Vetë lojtari e dëshironte këtë lëvizje, por për arsye të ndryshme nuk u realizua.

Kuptohet qartë që në verë do të flitet shumë për të ardhmen e lojtarit kuqezi, që nëse do të largohet nga Napoli (ka shumë mundësi të ndodhë) do të shënojë një rekord sa i përket shumës së paguar për një lojtar kuqezi./SS/