“Nata e Zjarreve” në Prekaz

0
272

Me “Natën e Zjarreve” në Prekaz, është përmbyllur manifestimi gjithëpopullor për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar nën patronatin e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Fillimisht në Kompleksin Memorial në Prekaz, janë ndezur flakadanët e lirisë, ndërsa në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, është mbajtur manifestimi përmbyllës i “Epopesë së UÇK-së”.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, kujtoi Komandantin Legjendar Adem Jashari, Familjen Jashari dhe gjithë të rënët për liri, duke thënë se Kosova është me fat që e ka Familjen Jashari, por edhe brezin e ri të kësaj familje të shtrenjtë.

“Baca Rifat më herët tha se nuk ka pasuri më të madhe sesa populli që di ta çmoj lirinë. Kjo u pa me prezencën tuaj të madhe në ndezjen e zjarreve dhe tani këtu në këtë manifestim. Është diçka e rrallë në krejt popujt e botës, e ne ndoshta pse e kemi në mesin tonë, ndoshta harrojmë t’i shohim krejt dimensionet  e asaj se çka kemi në mesin tonë. Edhe sot e kemi në mesin tonë Ademin, Hamzën, Shabanin e ri, e kemi Bekimin, Bashkimin, Lulin, Muratin, e kemi brezin e djemve tonë, por e kemi edhe bacën Rifat që na prinë. Zoti është i madh që na e fali këtë Familje dhe sot e kemi në mesin tonë”, deklaroi Haradinaj

Kryeministri Haradinaj, falënderoi kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë manifestim.

Një fjalë rasti mbajti edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Migjen Shala.

 

Fotografia e Migjen Shala