Ndërroi jetë Abdilaqim Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së

Pas një sëmundjeje të rëndë të enjtën rreth mesnatës në Tetovë ka ndërruar jetë, sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Abdilaqim Ademi.

Ademi ka mbajtur pozita të rëndësishme shtetërore dhe partiake, si zv .kryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ministër i ambientit jetësor dhe të arsimit. Kohëve të fundit ishte larg skenës politike shkaku i trajtimit me terapi mjekësore.

Abdilaqim Ademi i lindur më 20 dhjetor 1969 në fshatin Shemshovë të Tetovës. Studimet universitare i kishte filluar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, drejtimi Metalurgji, në qytetin e minatorëve në Mitrovicë, ku kishte mbaruar dy vite dhe për shkak të masave të dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës, studimet ishte detyruar që t’i vazhdoj në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku ka diplomuar në korrik të vitit 1996.

Ai më pas ka mbaruar edhe studimet postdiplomike, shkruan Alsat M.

Ademi ishte zv. kryeministër  për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2008 , Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 28 korrik 2011 deri më 20 qershor 2014 dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës në periudhën prej 20 qershorit 2014 deri më 16 janar 2016.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot, më 16 shkurt (e premte), pas namazit të xhumasë në varrezat e fshatit Shemshovë.