Ndërroi jetë profesori universitar, Ali Gashi

Ka ndërruar jetë profesori i njohur i Universitetit të Prishtinës, Ali Gashi.

Gashi ishte njëri ndër profesorët më të shquar të departamentit të Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Profesor Gashi ishte dekan i Fakultetit Teknik.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka ngushëlluar familjen e profesorit. Në telegramin e rektorit thuhet se arsimi humbi një nga kontribuesit më të mëdhenj.

Telegrami i rektorit Dema:

E respektuara familje Gashi,

“Dhimbja plandosi zemrat tona pas pranimit të lajmit që njëri ndër profesorët më të shquar të departamentit të Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Ali Gashi, nuk është më në mesin tonë.
Me lejoni që në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emër të menaxhmentit, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të këtij institucioni, t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Ngushëllimet i përcjell edhe tek të afërmit e tjerë, miqtë, kolegët dhe studentët e profesorit të ndjerë.
Profesori Ali Gashi ka dhënë kontribut për rreth katër dekada në zhvillimin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UPHP, ku për një kohë të gjatë ka ushtruar detyrën e shefit të departamentit të Sistemeve Elektroenergjetike. Ndërkaq, në vitet më të vështira të vendit, në periudhën e okupimit, prof. Gashi ka ushtruar detyrën e dekanit të FIEK-ut.
Me ndarjen e tij nga jeta, arsimi humbi një nga kontribuuesit më të mëdhenj!
I paharruar qoftë kujtimi për profesorin Gashi!”.

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesorit universitar, Ali Gashi.

“Profesor Gashi dha një kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja dhe në zhvillimin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Prandaj, humbja e tij është humbje e madhe për arsimin e lartë në Kosovë”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Ky është postimi i plotë i ministrit Bytyqi:

E nderuara familje Gashi,

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesorit tonë, Ali Gashi.

Profesor Gashi dha një kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja dhe në zhvillimin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Prandaj, humbja e tij është humbje e madhe për arsimin e lartë në Kosovë.

Përkushtimi në punë në secilën detyrë që i është besuar, madje edhe në kohë të vështira për Universitetin dhe arsimin në përgjithësi, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që profesor Gashi të mbetet në kujtesën e gjeneratave të tëra, të miqve, kolegëve, por edhe në historinë e arsimit shqip.

Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta”.

Lini një Përgjigje