Ndërron jetë kryetari i parë i klubit kosovar

0
346

Klubi Vllaznia e Pozheranit e ka humbur kryetarin e saj të parë, Feriz Pira i cili ka ndërruar jetë.

Lajmi është konfirmuar nga klubi në rrjetin social Facebook.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta te njërit nga themeluesit dhe kryetarit të parë te K.F Vllaznia Feriz Pira. Kryesia e klubit edhe gjithë anëtarët e saj shprehin ngushëllimet me te sinqerta familjes Pira dhe të gjithë futbolldashësve pozheranas dhe gjetiu”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Edhe Federata e Futbollit e Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Pira.

E nderuara familje Pira, të nderuar drejtues dhe anëtarë të KF “Vllaznia” – Pozheran.

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Feriz Pira, ndaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.

Feriz Pira ishte i njohur në komunitetin e futbollit si punëtor i madh dhe njeri i urtë. Ai dha kontribut të çmuar në ngritjen e futbollit në Pozheran, duke qenë njëri nga themeluesit e klubit Vllaznia dhe kryetar i parë i tij.

Familja humbi njeriun më të dashur, derisa komuniteti i futbollit humbi një veteranë të zellshëm të futbollit, i cili gjithmonë u mundua që të rinjtë e Anomoravës t’i angazhojë në futboll. Prandaj, në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj. I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, shkruhet në telegramin ngushëllues nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi./Zëri.info