Ndryshon lista e kandidatëve, Valbon Krasniqi hyn në garë për drejtor të SHSKUK-së

Është ndryshuar lista e kandidatëve që i plotësojnë kriteret në konkursin për drejtor të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës.

Sektori i Burimeve Njerëzore në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar për ndryshimet në listën e kandidatëve që i kanë plotësuar kriteret për t’i hyrë garës për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni, shkruan Gazeta Shneta.

Në këtë listë është pranuar edhe Valbon Krasniqi, i cili fillimisht u la jashtë me arsyetimin se nuk i ka plotësuar kriteret. Burime të Gazetës kanë njoftuar se bëhej fjalë për kriterin e përvojës menaxheriale.

“Valbon Krasniqi nuk ka pas dëshmi për përvojën menaxheriale 5 vjeçare në institucionet shëndetësore. Ai ka ofruar disa dokumente për përvojë në një ordinancë dhe një organizatë ndërkombëtare, por nuk e di nëse do t’i pranohen”, ka treguar ky burim.

Por duket se Sektori i Burimeve Njerëzore në SHSKUK i ka pranuar këto dokumente të Krasniqit, pasi ka publikuar njoftimin se Krasniqi, i cili ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, është futur në listën e kandidatëve.

Në këtë listë janë edhe Saudin Maliqi, ish-këshilltar i ministrit Armend Zemaj; Gani Halilaj, ish-kandidat për deputet nga PDK; Driton Ukmata, ish-këshilltar i Basri Sejdiut i zgjedhur në kohën e Uran Ismajlit; Basri Lenjani, ish-kandidat për deputet nga AAK.

Lini një Përgjigje