Në fjalimin e tij të lamtumirës, Trump i uron suksese Bidenit

Presidenti i SHBA në largim Donald Trump do të mirëpresë administratën e re në fjalimin e tij lamtumirës që do të transmetohet sonte vonë.

“Këtë javë ne do të inaugurojmë administratën e re dhe ne lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të prosperuar”, tha Trump në një video-mesazh, pjesë të së cilës u botuan nga Shtëpia e Bardhë, dhe që do të transmetohet sonte vonë, raporton AP.

Ai gjithashtu do të thotë se të gjithë amerikanët janë të tmerruar nga sulmi në Capitol Hill më 6 janar, ku pati edhe të vdekur.

“Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçka që ushqejmë si amerikanë. Kjo nuk mund të tolerohet kurrë, “tha Trump në pjesën e fjalimit që do të transmetohet një ditë para inaugurimit të demokratit Joseph Biden.

Trump gjithashtu do t’i referohet ngjarjeve në Lindjen e Mesme dhe do të thotë, siç raportohet, se ai është presidenti i parë amerikan që nuk filloi luftëra të reja.

“Tani që jam duke u përgatitur t’i dorëzoj pushtetin administratës së re, nesër në mesditë, dua që ju të dini që agimi ka lindur në Lindjen e Mesme të re dhe se ushtarët tanë po kthehen në shtëpi. Unë jam veçanërisht krenar sepse unë jam presidenti i parë amerikan në dekadat e fundit që nuk fillova luftëra të reja,” transmeton AP fjalët, të cilat Trump do t’i jep në video-mesazh.

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara pritet gjithashtu të njoftojë se ai shpreson të mbetet një lojtar i fuqishëm në skenën politike shumë kohë pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, raportojnë mediat amerikane.