Në Kosovë shihet si i nevojshëm miratimi i dozës së tretë të vaksinës anti-Covid

0
70

Shtetet e rajonit kanë filluar administrimin e dozës së tretë të vaksinës anti-Covid. Në Kosovë sipas njohësve është i nevojshëm miratimi për dozën plotësuese për luftimin e pandemisë.

Vaksinimi kundër Covid-19 është i domosdoshëm në luftimin e këtij virusi.

Në pjesën më të madhe të botës dozat e para dhe të dyta janë administruar dhe është filluar me dozën e tretë.

Sipas njohësve të kësaj fushe, Kosova nuk bën përjashtim me nevojën e administrimit të dozës së tretë.

“Padyshim që edhe në Kosovë është e domosdoshme, sa më shpejt që është e mundshme dhe që të merret vendimi për lejimin e dozës së tretë për të gjithë ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga doza e dytë, do të jetë e mirëseardhur. Le të vaksinohen që të gjithë, pavarësisht prej moshës, pavarësisht prej gjendjes shëndetësore të tyre. Të vaksinohen në mënyrë paralele edhe me ata që nuk janë vaksinuar deri tash apo ata që deri tani janë vaksinuar me një dozë”, thotë për RTK-në infektologu Ilir Tolaj.

Ne Kosovë që nga fundit i muajit mars ka filluar imunizimi dhe janë administruar 1.6 milionë doza dhe rreth 720 mijë të vaksinuar me të dy dozat.

Deri më sot në shumë vende është parë e nevojshme edhe një dozë e tretë përforcuese për mbrojtje nga coronavirusi.

Izraeli, Gjermania, Franca e vendet e tjera kanë disa muaj që kanë filluar me dozën e tretë ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia së fundi kanë lejuar fillimin e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.