Në mes të teorisë dhe praktikës

Shkruan: Gëzim Saraçi
(Reagim)
Në realitetin e krijuar në vendin tonë PATRIOTIZMI shfrytëzohet si resurs mjaft frytdhënës për realizimin e interesave të ngushta. Pra, sa më shumë ia thua patriotizmit, në Facebook, në tubime zyrtare e jozyrtare, në portale të ndryshme e kudo që të krijohet mundësia, personaliteti yt ngjitet lart e më lart, deri në “shenjtërim”.
Teorikisht kemi arritur stad të kënaqshëm, të gjithë. Duket sikur të gjithë ia kemi mësyrë majës më të lartë të “shenjtërimit”.
Mirëpo, problemi qëndron se në këtë realitet, teoria dhe praktika asnjëherë nuk përputhen. Ngase ata që teorikisht janë patriotë, në shumicën e rasteve, praktikisht bëjnë të kundërtën.
Mirëpo, edhe ata që praktikisht janë patriotë, në shumicën e rasteve, teorikisht patriotizmi i tyre duket i zbehtë, ngase ata heshtin nga modestia.
Secili nga ne, çdo ditë thurim vargje me të cilat kujtojmë sakrificën e Dëshmorëve të Kombit, por si t’u besohet atyre që praktikisht e bëjnë të kundërtën?!
Më 21.08.2018 u bënë 20 vjet nga rënia e dëshmorit, Avni Saraçi. Rastisi që kjo datë të ishte edhe ditë e Bajramit të Kurbanit, kësaj feste që përcjell mesazhin e paqes, njëkohësisht edhe të sakrificës.
Mirëpo, dje u harrua sakrifica e dëshmorit, Avni Saraçi. Dje, për ta nderuar sakrificën e Avniut, ishin mbledhur vetëm familjarët dhe disa prej shokëve bashkëluftëtarë.
Në këtë përvjetor nuk kishte asnjë përfaqësues nga institucionet e shtetit, madje nuk ishin as përfaqësuesit e organizatave të dalura nga lufta e UÇK-së.
Mbase për këtë fajin mund ta ketë BAKLLAVA. Mund t’i ketë trullosur ata njerëz dhe për një moment t’i jenë kthyer unit të tyre JOPATRIOTIK.
Dëshmori i Kombit, Avni Saraçi, tash e njëzet vite, për asnjë rast, me asnjë akademi, nuk u nderua nga institucionet, përjashtimisht homazheve, të cilat si duket janë bërë sa për sy e faqe.
Veç një arsye ekziston për gjithë këtë “shpërblim” nga institucionet e shtetit dhe organizatat e “luftës”.
Vëllai i Avniut, Ilmiu, luftëtar i shquar në të tri luftërat; UÇK, UÇPMB dhe UÇK, por edhe vëllai tjetër i Avniut, Shukriu, luftëtar i UÇK-së (tashmë i ndjerë), por edhe rrethi tjetër familjar për asnjë rast nuk deshtën që Avniun ta shohin si të birin e tyre, si vëllain e tyre, sepse ata, Avniun, e shihnin dhe e shohin si biri i shqiptarisë që ra për lirinë e shqiptarëve.
Nëse dikush do të vdiste nga TURPI, sot do t’u shprehnim ngushëllime institucioneve “shtetërore” dhe organizatave të “luftës”. 
Lavdi e përjetshme Dëshmorit të Kombit, Avni Saraçi! 
Lavdi e përjetshme për të gjithë Dëshmorët e Kombit!

Fotografia e Gëzim Sheremet Saraçi

Lini një Përgjigje