Në njëvjetorin e miratimit Darmanoviq dhe Pacolli për demarkacionin thonë kjo është punë e kryer

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, ka deklaruar se çështja e Demarkacionit mes Malit të Zi dhe Kosovës është problem i zgjidhur. Ai u shpreh se nuk e shohin si një çështje të hapur ndërmjet dy vendeve.

Këto komente i ka bërë pas takimit që ka pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Problemi është zgjidhur. Ne nuk e shohim si një çështje të hapur ndërmjet këtyre dy vendeve… Nuk ka pika kontestuese kjo është kryer”, është shprehur ai.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se çështja e demarkacionit është çështje e zgjidhur.

“Është komisioni ndërshtetëror që do të dal dhe do shënojë këtë kufi dhe unë besoj që ky problem është i zgjidhur dhe nuk është temë diskutimi. Problemi është zgjidhur, kemi një marrëveshje me Malin e Zi dhe kjo zgjidhje ka pasur goxha jehonë të madhe ndërkombëtarisht si hap jashtëzakonisht fisnik i dy shteteve në zgjidhjen e problemeve pa intervenime nga jashtë, pa ndërmjetësime, ne këtë problem e kemi zgjedhur vetë, është i zgjidhur problemi”, tha ai.