Në përmbylljen e një teme që nuk mbyllet

0
421
Shkruan: Bedri Islami
Për tri ditë me radhë, në DITA jam përpjekur të shfaq mendimin tim, sado modest, lidhur me raportet e luftës dhe të pasluftës në Shqipëri, me shfaqjet dhe kundërshfaqjet e një qëndrimi politik, thellësisht politik, ndaj historisë dhe kombit, ashtu si me ngritjen dhe rënien e vlerave.
Kam shfaqur dhe kam mendimin se ajo që ndodhi në pasluftë nuk e zbeh kurrë e nuk duhet të zbehë qëndrimin e vetëm të drejtë ndaj luftës antifashiste, e cila nuk u zhvillua vetëm në trojet ballkanike, por në të gjithë Europën e pushtuar, duke përfshirë, qoftë edhe nga larg, vende e shtete që nuk ndodheshin nën pushtim. Askush nuk mund t’i ikte dot asaj, sepse, duke qenë e përbotshme, ajo u bë vendi ku ndesheshin shpresat e jo vetëm një shteti apo disa shteteve, por e të gjithë botës: në fund të fundit ishte luftë ndaj fashizmit , si ideologji, si praktikë dhe si shkatërrim i vlerave njerëzore. Në fillimin e luftës antifashiste dhe gjatë saj, askush nuk fliste për shkatërrimin e komunizmit, pasi, jo vetëm ishin në aleancë me të, por edhe se rezistenca më e qëndrueshme do të vinte pikërisht nga perandoria komuniste e BS. Kështu, në fund të Konferencës së Teheranit, populli amerikan nuk pa asgjë jo të zakonshme në konkluzionet që dha Presidenti Rusvelt për arritjet e saj, nëpërmjet një vlerësimi personal të diktatorit sovjetik: “Unë mund të them se shkuam mirë me Mareshalin Stalin. Ai është një njeri, tek i cili kombinohen një vendosmëri kolosale e palëkundur me një humor të shëndoshë e të mirë. Mendoj se ai është përfaqësues i vërtetë i zemrës dhe shpirtit të Rusisë; dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtet shumë mirë“.
Shqipëria asaj kohe vetëm sa ia kishte dëgjuar emrin Stalinit dhe komunistët shqiptarë që kishin qenë në Rusi, si njerëz të Kominternit, kur ishin kthyer në Shqipëri, jo vetëm kishin vazhduar rrugën e tyre të mëhershme, por kishin qenë edhe bartësit kryesorë të fazës së parë, krijimit të PKSH-së. Koço Tashko është një shembull. Sejfulla Malishova një tjetër. Më herët kishte qenë Ali Kelmendi.
Jam ende i mendimit se Shqipëria nuk do të kishte qenë pjesë e Lindjes Komuniste, nëse liderët e antifashizmit do të kishin qenë njerëz me të shkuar atdhetare, ish të mërguar politikë antizogistë apo statura të njohura politike e ushtarake të Zogut që kishin ende emër dhe fuqi pas vetes. Po ashtu, nuk do të kishte qenë pjesë e kësaj Lindje, nëse shtetet perëndimore, që në fillim nuk do i njihnin asaj dy gjëra themelore: pandryshimin e kufijve të saj, çka kërkohej vazhdimisht nga qeveria greke dhe ndaj të cilave toleranca politike angleze ishte e dobët dhe, vendosjen e unit properëndimor në fushat e bisedimeve të gjata.
Henry Kissinger, diplomati i njohur ka shkruar se:
“Në tetor 1944 Çërçilli ndërmori një veprim pothuaj vetëmohues për të zgjidhur drejtpërdrejt me Stalinin të ardhmen e Evropës Lindore. Gjatë një vizite në Moskë, e cila zgjati tetë ditë, Çërçilli bëri një skicë për zgjidhjen e sferave të influencës dhe ia dha Stalinit. Në të ai parashikonte një ndarje të sferave me përqindje, duke marrë Britania e Madhe 90 për qind në Greqi dhe Bashkimi Sovjetik 90 për qind në Rumani dhe 75 për qind në Bullgari; Hungaria dhe Jugosllavia ishin ndarë nga 50 e 50. Stalini e pranoi në vend – megjithëse Molotovi, sipas traditës më të mirë sovjetike në shitjen e kuajve, hyri në dialog me idenë për të rritur përqindjet britanike…“.
Shqipëria nuk ishte askund në memorien e ndarjes së botës. Vetëm në fund, dhe kjo është më tepër anekdotë se sa e vërtetë, dikush u kujtua për Shqipërinë dhe ua la nga të mëdhenjtë e botës të shkonte njëlloj si Jugosllavia.
Forcat që e quanin veten nacionaliste, në fakt shumë prej tyre ishin kthyer në kolaboracioniste, nuk e kishin më fuqinë për të ndalur vërshimin e lëvizjes antifashiste. Ata kishin ende qëndrime meskine, krahinore, vetmburrëse dhe të largëta nga koha. Përfaqësuesi i Marka Gjonit, kur iu kërkesa për bashkimin e forcave, me mendjelehtësi të habitshme u përgjigj se “ju, toskët e kërkuat këtë, ju zgjidheni, edhe pse vriteni mes vedit; na, kur të vijnë koha e të dalin kah na, tash u tregojmë vendin, si ja treguam edhe turkut e kujtdo tjetër“. Bazi i Canës shkonte edhe më tej, duke u thënë anglezëve se “tash 500 vjet na, gegët, e kemi sundue jugun, tash i ka ardhë koha toskëve me na sundue ne, gegëve“.
Në fakt, ndarja e ndodhur në Mukje, më shumë se gjithçka tjetër ishte një ndarje e paralajmëruar, jo edhe aq nga vetitë ndarëse të shqiptarëve, se sa nga pushteti që po vinte. “Alibia“ e Kosovës ishte shashka politike e nacionale, pasi të dyja palët e dinin fare mirë se tjetërsimi i kufijve nuk mund të bëhej nën një regjim pushtues, që po ikte. Jugosllavia do të vazhdonte të ishte e përkëdhelura e perëndimit, megjithë krimet e pandëshkuara që po ndodhnin, sidomos mbi shqiptarët e kroatët, popullsitë e të cilave ishin trajtuar si mbështetëse të pushtimit gjerman. Jo vetëm që Jugosllavia nuk do të ngushtohej, por ajo do të zgjerohej mbi dy fuqi nazifashiste, si Hungaria, duke i marrë pjesë të mëdha të Vojvodinës, apo Italia, ku bregdeti kroat u çpopullua në një kohë të shkurtër nga italianët e dëbuar me dhunë, e, vetëm një çast historik e vendosi Triesten në shtetin italian.
Jugosllavia e Rankoviçit në pak vite zhduku rreth 42 mijë shqiptarë, një gjenocid i paparë pas luftës së dytë botërore, zhduku më shumë se kaq kroatë të njësuar si ustashë, eliminoi çetnikët serbë, edhe kur lidhjet familjare ishin të brezit të tretë….e përsëri, politikanë të së djathtës në Tiranë ende, edhe sot e kësaj dite, e quajnë regjimin e Titos më liberal se sa regjimi i Hoxhës. Ose nuk ja kanë haberin për çfarë ka ndodhur, ose diçka i ka detyruar t’i përmbahen kësaj teze, ku herë pas here mbështetet edhe e majta në Shqipëri.
Megjithatë, pavarësisht se ku qëndronte thelbi i vendosjes së një regjimi, kjo nuk ka të bëjë me atë që ndodhi pas luftës.
Trajtimi që iu bë Ballit Kombëtar, në bllok, pa ndarë mes tyre të përkushtuarit ndaj qëndresës si Hysni Lepenica, me të tjerë, që ishin thellësisht të fashistizuar, do të përbënte fillesën e një kalvari të gjatë në bllok, për të gjithë ata që, në një anë , ndoshta të gabuar,kishte pasur qëllime të tjera.
Familjet që e kanë përjetuar tmerrin e pas luftës , pavarësisht se cilës anë i kanë takuar më herët, nuk kishte pse të provonin mbi vete gjithë tmerrin që do të përcaktonte fizionominë e një regjimi. Vetëm ata, më mirë se kushdo tjetër e dinë ankthin, pasigurinë, drojën e çdo çasti kur mund të kishte një ndodhi, një ngjarje, një marrje nëpër natë dhe një internim të mundshëm.
Shumë vite më vonë, pas ngjarjes me babain tonë, e kam kuptuar pse muajt e parë të pas saj, nëna jonë rrinte deri në mëngjes në dritaren e shtëpisë që shikonte nga rruga dhe pse plaçkat tona të pakta ishin gjithnjë të grumbulluara. Megjithëse ishte një familje e lidhur me luftën, dhe, për të cilën, kishte sakrifikuar gjithçka, katër të vrarë në luftë dhe disa të internuar në kampet naziste; pasuri të shkrirë për njësitë e luftës, pasuri të dorëzuar në pasluftë për të ndërtuar shtetin e të gjithëve, përsëri ankthi qëndronte deri vonë , si një e papritur që mund të ndryshonte gjithçka në jetë.
Kampet e internimit kanë qenë pamja e frikshme dhe realiteti tragjik i një sistemi, të cilin askush nuk e shpëton dot nga e keqja që ngriti mbi jetët njerëzore.
Fise të tëra u shkulën nga vendlindja nga një njeri i vetëm që kishte qenë kundër pushtetit. Fëmijë të porsalindur merrnin përsipër mëkatet e një njeriu që nuk do e njihnin kurrë. Largimi i një tjetri nga vendlindja sillte shpërnguljen e dhjetëra të tjerëve drejt viseve të panjohura. Bashkoheshin në një kalvar të përbashkët ata që dikur kishin qenë me pushkë në faqe kundër njëri tjetrit; burgjet e rënda si Burreli u dukeshin atyre që vinin nga hetuesia e rëndë si gjysmë lirie, kujton Rahman Parllaku; Spaçi ishte mungesa e lirisë e shprehur në staturën e krimit.
Edhe kampi i internimit në Tepelenë është njëri nga dëshmuesit historikë të ngjarjeve që kanë ndodhur dhe që paraqitnin tiparet e porsanisura të një regjimi që kishte shpallur devizën e tij si diktaturë. Sado në kushte të rënda kishte qenë Shqipëria e pasluftës, ku ende buka kishte racionin e saj që shkurtohej, asgjë nuk e justifikon sjelljen ndaj një grupimi njerëzor që, edhe nëse kishte të fajshëm mes tyre, nuk mund të përgjithësohej dhe të dëbohej dhunshëm nga vendi i vet.
Kujtimet e atyre që i kanë përjetuar, sado të sakta të jenë, nuk sjellin kurrë ankthin e ndodhur, çastin e tmerrit dhe pasigurinë e së nesërmes.
Por kërkesa e një ish presidenti për të hedhur barrën e fajit mbi një brez të ri të politikës, që nuk ka asnjë lloj përgjegjësie mbi atë çka ka ndodhur është në fakt ripërsëritje e një mendësie ndarëse, që, po të kishte pasur një kohë tjetër, do të ishte mendësi vrastare.
Përse ndodhi kështu në Shqipëri? A nuk mund të zgjidhej ndryshe gjithë kalvari i pasluftës dhe, pas ndëshkimit të kolaboracionizmit, të atyre që kishin vrarë vetëdijshëm antifashistë, çka ndodhi në të gjithë vendet evropiane, të sundonte arsyeja, ligji dhe e drejta e përbashkët?
Duket si një mision i vështirë, për më tepër se në shumë nga vendet ku kishte përfunduar lufta mes fashizmit dhe antifashizmit, dukuritë e ndëshkimit do të ishin të pranishme.
„ Sipas një statistike të botuar para disa vitesh, vendin e parë në Evropë për nga numri i viktimave të përndjekjes politike pas Luftës së Dytë e zë Spanja, ndërsa të dytin Jugosllavia. Shqipëria gjendet pak më poshtë. As edhe Goli Otoku famëkeq nuk krahasohet dot me Aushvicin, e lëre më një kamp i humbur i Tepelenës, me gjithë dhimbjen dhe respektin për viktimat e pafajshme por edhe për vuajtjet e padrejta të të fajshmëve të këtij kampi“- do të shkruaj gazetari dhe analisti i njohur Bislim Elshani, njëri ndër ish të burgosurit politikë të Kosovës, ndoshta miku dhe bashkëpunëtori më i afërt i Ukshin Hoti.
Dëshira dhe këmbëngulja për të hequr paralele të frikshme mes ngjarjeve dhe tmerreve, nuk ia shton vuajtjet askujt dhe as nuk ia pakëson ato.
Ka një vullnet të pagjindshëm askund tjetër, që periudha e komunizmit në Shqipëri të jetë më e rënda e gjithë botës, më e zeza, pa asnjë hov dhe përparësi, qofshin edhe të pjesshme dhe të rënduara nga hallet tjera.
Shqipëria ka pasur gjithnjë mundësinë të ketë “Mukjen“ e saj të kohës së tashme; nëse kjo ka qenë e pamundur në vitin 1943, kur shumë gjëra ndaheshin me thikë dhe vetë thika nuk kishte vetëm kuptim figurativ, pas vitit 1991, sidomos një dekadë më pas, kjo do të ishte krejt e mundshme.
Rrënja e hedhur ende nuk është shkulur. Si një paradoks të politikës , në kahun e majtë të saj drejton një lider që ka aspiruar të djathtën dhe është shfaqur në fillimet e mendimit të lirë si kundërshtar i vijës së ashpër ndaj së majtës; ndërsa në të djathtën ende drejton me dorë të hekurt një ish komunist i bindur, thellësisht reaksionar në komunizmin e tij, i cili, kur u vendos në pushtet, duke folur në emër të lirisë , në fakt vendosi demodiktaturën e tij dhe rikthimin e vitit 1943 në politikën shqiptare./gazetadita.al