Nën një atmosferë të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhëve

Nën një atmosferë tejet të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota pro dhe asnjë kundër, ndërkohë që nuk janë shqyrtuar aspak amendamentet e VMRO-DPMNE-së.

Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Kjo bëri që Xhaferi të ndërpresë seancën për 15 minuta.

Krahas kundërshtimeve të opozitës në seancë, edhe një grup i qytetarëve ishte grumbulluar para ndërtesës së Kuvendit për të protestuar dhe kërkuar që ligji të mos miratohej.

Protestuesit, janë shprehur kundër miratimit të ligjit që mundëson në shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ata kanë brohoritur “tradhtarë”, “kombi nuk është në shitje” dhe “shitës të shtetit”. Megjithëse protesta po vazhdon të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident para godinës së institucionit ligjdhënës vërehet një prani e theksuar e forcave policore.

VMRO-DPMNE kishte proceduar rreth 35 mijë amendamenteve për plotësim-ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veprim ky që nga partitë shqiptare në Maqedoni ishte cilësuar si përpjekje për bllokimin e tërësishëm të ligjit.

Kuvendi i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj qysh në muajin janar, por ishte presidenti Gjorgje Ivanov ai i cili nuk e kishte dekretuar, duke ia kthyer sërish Kuvendit që ta shqyrtojë dhe miratojë me ndryshime e plotësime eventuale./oranews.tv/