Nëna nga Shkodra 18 vite nuk e diti ku e ka djalin, çdo vit ia festoi ditëlindjen, në fund e kuptoi se kishte rënë dëshmor i UÇK-së (Video)

0
1344

Arijan Brahimi i njohur si Arijan Shkodrani është një hero i harruar nga shteti shqiptar. Mirëpo rrëfimi për jetën dhe rënien e tij është sa i dhimbshëm, aq edhe i lavdishëm. Në moshë vetëm 21 vjeçare Arijani i është bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën kundër okupatorit serb. Mirëpo për këtë, ai nuk e ka informuar askënd nga familjarët, madje as nënën e tij, duke dashur t’i kursejë nga dhimbja.

Gjatë luftimeve të ashpra me serbët, Arijani ka rënë bashkë me tre bashkëluftëtarë tjerë në Kalanë e Rahovecit, duke e zmbrapsur armikun dhe duke mos lejuar pushtimin e kalasë. Nëna e tij e kishte kërkuar plot 18 vite. Çdo vit ia kishte festuar edhe ditëlindjen, deri sa në vitin 2017 ka kuptuar se djali i saj ka rënë dëshmor në Rahovec të Kosovës.
Shokët e tij të luftës nuk e kishin harruar atë asnjëherë. Madje për nder të tij, një lokalitet në Kalanë e Rahovecit e kanë quajtur me emrin Maja e Shkodranit.

Rrëfimin e harruar për Arijan Shkodranin e ka risjellur në një intervistë për Lajm.Tv këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Zuke Dautaj, e cila jeton në Belgjikë.
Ajo bashkë me vëllaun poashtu këngëtar, kanë përgatitur një këngë dhe një klip, kushtuar Arijanit.

Në bisedën e zhvilluar në Bruksel, këngëtarja Dautaj flet para kamerës së Lajm.Tv për emocionet e përjetuara gjatë incizimit të klipit.

“Unë dhe vëllai im kemi bë një këngë për një dëshmorë, që është shumë e rëndësishme ta them para jush këtu sot dhe para gjithë shqiptarëve. Është diçka që fatkeqësisht është lënë në harresë edhe nga shtetit shqiptar. Një djalë nga Shkodra, Arijan Shkodrani, ka shkuar në moshë rreth 21 vjeçare në luftën e Kosovës. Ai ka vdekur në luftë, në Kosovë, por nëna vetë nuk e mori asnjëherë vesh se ku ishte i biri. E kërkoi Çdo kund, ja festoi ditëlindjen Çdo vit.

Në vitin 2017, 18 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, nëna e ka kuptuar se djali i saj ka rënë në Rahovec të Kosovës, duke luftuar përkrah vëllezërve të vetë kosovarë.

Shokët e tij të luftës nuk e kishin harruar atë asnjëherë. Ia kishin vendosur emrin maja e Shkodranit në Kalanë e Rahovecit, për nder të tij”, deklaroi Dautaj për Gazetën Lajm.