Nënshkruhet Memorandumi për themelimin e Parkut Inovativ dhe Trajnues gjermano-kosovar

551

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë  Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, për shfrytëzimin e mëtejmë të kampit në Prizren si park inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman (ITP), është bërë prezantimi i projektit të fizibilitetit nga përfaqësuesit e GIZ-it gjerman.

Gjatë këtij prezantimi, në detaje u elaboruan pesë fushat që do të jenë pjesë e parkut ekonomik, siç janë: Inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj, theksoi se janë bashkë me përfaqësues të institucioneve gjermane dhe me GIZ-in gjerman në një mision të mirë, i dyti pas përkrahjes që Gjermania ka dhënë në vitin 1999.

“Ne u bëmë bashkë në vitin 1999, për ta sjellë paqen në vendin tonë, kur Gjermania për herë të parë në historinë e saj vendos t’i dërgoj trupat e saj paqeruajtëse në Kosovë dhe tani pas dy dekadave, në shërbim të paqes njerëz të vullnetit të mirë, iniciojnë hapin e radhës për prosperitetin e vendit, themelin e parkut inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë rasti para të pranishmëve kanë mbajtur edhe Heike Backofen, përfaqësuese e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.