Nëntëmbëdhjetë vite nga rënia heroike e dëshmorit, Gëzim (Rasim) Rama

Shkruan: Safet Hasani, PhD

Sot më 10 prill të vitit 2018, gjegjësisht, në mesditën e kësaj dite, mbushen 19 vite qysh kur nga ushtria dhe policia serbe privohet nga jeta, por pasi e pagoi veten, dëshmori i kombit shqiptar, Gëzim Rasim Rama, nga fshati Kollë i Vushtrrisë. I lindur dhe i rritur në një familje me tradita atdhetare oden e së cilës e vizitonin burra me nam, ku frymohej e flitej shqiptarisht, ku tregoheshin e këndoheshin këngë për trimat e shumtë që i ishin përgjigjur zërit të atdheut në çdo kohë e në çdo stinë, që kishin punuar e ishin flijuar duke mbrojtur pragjet dhe nderin e këtyre trojeve. Andaj edhe Gëzimi qysh herët si fëmijë tregonte se po ecte rrugëve të patriotëve të mëdhenj që lan gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar. Gëzimi u lind më 20.03.1978 në fshatin Kollë të Vushtrrisë në një familje, siç e ceka më lartë, familje e urtë dhe bujare, me një traditë të bujshme patriotike. Kjo i mundësoj që të njihet e të kishte kontakte të shumta me njerëz dhe familje të mëdha që i mundësoj brumosjen me patriotizëm të pastër sidomos të atyre njerëzve që dalloheshin nga fryma intelektuale. Shkollën fillore Gëzimi e kreu në vendlindje,  ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Eqrem Çabej” ish shkolla “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Ai kishte familje të shkëlqyer që dalloheshin jo vetëm në fshatin Kollë por edhe në gjithë komunën e Vushtrrisë. Si fëmijët e tjerë edhe Gëzimi trashëgon nga prindërit urtësinë, zemërbutësinë, dashurinë dhe mirësjelljen ndaj shokëve e miqve, ndërsa nga i ati, kur është fjala për atdheun, trashëgon gjindshmërinë, egërsinë, shpejtësinë dhe guximin  për veprim. Pas vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998, nga forcat ushtarake dhe policore serbe, Gëzim Rama bije në kontakt me disa shok dhe në pranverë të vitit 1998 do të radhiten në njësitet e UÇK-së. Fillimisht do të shërbej në fshatin e lindjes, dhe më pas, do të transferohet në fshatin Strofc në Batalionin e Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës. Në verën e vitit 1998, Gëzimi së bashku me shumë bashkëluftëtarë tjerë, do të marrë rrugën për në Shqipëri për tu furnizuar me armatim.

Në betejën e 22-26 shtatorit 1998, Gëzimi do të tregoj një maturi të lartë në luftë kundër forcave serbe. Pas përfundimit të “Betejës së shtatorit” ai do të kujdesej për rimëkëmbjen e njësive të UÇK-së, si dhe, do të kujdesej për shokët dhe bashkëluftëtarët e tij. Kështu prej guximtari të vendosur, zhdërvjelltësia dhe maturia, kanë qenë anët më të shprehura të temperamentit luftarak te Gëzimi. Kështu, Gëzimit për çdo ditë i zgjohej ndjenja dhe dashuria për atdheun dhe rritej ndërgjegjja kombëtare. Për këtë tregon edhe Aziz Bici, Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të ZOSh-ës, ku shërbente edhe Gëzimi si ushtar vullnetar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Komandant Aziz Bici tregon se, kur shumë prej ushtarëve nuk mund t’i përballonin luftimet në operacionet luftarake Gëzimi paraqitej çdo herë vullnetar dhe pa pengesë kryente detyrat që iu ngarkoheshin. Po ashtu, edhe Komandanti i Brigadës 142 të ZOSh, z.Enver Oruqaj, tregon se, Gëzimi ishte frymëzim për ushtarët tjerë në luftën për liri, ishte ai që mbante gjallë ndjenjën tek ushtarët tjerë për çlirimin e Kosovës, në atë kohë kur në tërë territorin e saj armiku po e bënte të veten, atëherë kur luftimet ishin të përhapura në tërë territorin e Brig. 142 të ZOSh-ës së UÇK-së dhe thuaje në tërë territorin e Kosovës.

Në atë kohë Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një strukturë dhe hierarki të rregullt ushtarake, me një komandim të mirëfilltë që kishte arritur t’i bëjë ballë çdo sulmi dhe beteje që ndërmerrte armiku serb. Batalioni i Parë i Brigadës 142 ZOSh-ës, krijojë një strukturë të mirëfilltë ushtarake, përgatitje, strehimore, spitale për të plagosur dhe çdo gjë veprohej në bazë të hierarkisë komanduese ushtarake. Politika serbe, duke pa zhvillimin e hovshëm të UÇK-së, aktivizoj forca të shumta për t’i sulmuar njësitë e UÇK-së, kryesisht Brigadën 142 të ZOSh-ës. Edhe se ishte koha e armëpushimit mes UÇK-ës dhe Forcave ushtarake dhe policore serbe, në muajin shkurt të vitit 1999, forcat e mëdha ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe të Korpusit të Prishtinës, që përbënte strukturën ushtarake nga Armata Tretë të Kosovës, udhëhequr nga Gjeneral Koloneli Nebojsha Pavkoviq dhe Korpusit të Prishtinës që udhëhiqej nga gjeneral major Vlladimir Llazaropviq, mësyjnë ta sulmojnë rajonin e Artakollit (Çyqavicës) ku ishte zonë e përgjegjësisë e Brigada 142. ZOSh-ës, gjegjësisht Brig.142, u ndesh me një forcë skajshmërisht të pabarabartë por duke i shkaktuar dëme të shumta forcave armike serbe. Beteja e dytë u zhvillua që nga fsh. Vaganicë e Mitrovicës gjerë në fsh. Grabofc të Katriotit (ish-Obiliq). Ushtarët e Bat.1 të Brig.142 u përballën me një betejë të ashpër kundër forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Gjatë betejës së dytë, të muajt shkurt dhe mars 1999, Gëzim Rama do të tregoj një trimëri të rrallë kundër armikut. Aty, Bat.1 i Brig.142, do t’i thyej forcat serbe në fshatin Druar dhe Mihaliq, ku edhe vet mediet serbe do të lajmërojnë për humbjet të mëdha që kishin pësuar. Forcat serbe, duke pa qëndrueshmërinë e këtyre njësive dërgojnë forca të shumta speciale ushtarake-policore ku vendosën në fshatrat përreth Çyqavicës.

Në fillim të muajit prill 1999, serbët u vendosën në disa lagje të fshatit Strofc, ku ishte Komanda e Batalionit të Parë të Brigadës 142. Me 10 prill forcat serbe që ishin të vendosura në lagjet Selimi dhe Jashari, me një përforcim të ardhura nga forcat tjera, mësyjnë të depërtojnë në lagjen Hasani. Pasi bastisën dhe kontrolluan disa shtëpi, ushtarët serb u vendosën në shtëpinë e Sejdi Hasanit! Fillimisht krijojnë frëngjitë në mure për tu pozicionuar dhe kontrolluar terrenin.

Sipas Komandantit të Batalionit të Parë të Brigadës 142, z. Aziz Bici, atë ditë me 10 prill 1999, që nga beteja e dytë në fshatrat Strofc, Bequk, Gllavotin, Mihaliq, Druar, ushtria serbe po tentonte me çdo kusht të vendosej atje. Kur ishin vërejtur forcat serbe që ishin futur në shtëpinë e Sejdiut, komandanti Aziz Bici, kishte caktuar disa nga ushtarët të shkojnë me t’i sulmuar. Në mesin e vullnetarëve ishte edhe Gëzimi, u nisën në drejtim të vendit të quajtur “Dardha e Kuqe”, kom. Aziz Bici, dhe disa shokë të tjerë, që u përfshinë në atë aksion të rrezikshëm. Fillimisht, atyre serbëve të armatosur (ushtar e paramilitar) iu kërkohet që të dorëzohen, por serbët rezistojnë dhe aty zhvillohet një luftë e ashpër me të cilën kishin mbetur disa serb të vrarë. Gëzimi me një trimëri të rrallë hidhet mbi ushtarët serb. Aty ishte zhvilluar aty një luftë të rreptë kundër ushtarëve dhe policëve serb me ç’rast në ato luftime mbeti i vrarë ushtari i UÇK-së Gëzim Rama dhe ishte plagosur në këmbë Komandanti i Batalionit të Parë, Aziz Bici. Ato luftime ishin zhvilluar në vendin e quajtur “Dardha e Kuqe” pranë shtëpisë të Sejdi Hasanit në fshatin Strofc. Trupin e Gëzimit e tërheqin shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, dhe në mbrëmjen e 10 prillit e varrosin me nderime ushtarake në vendin e quajtur “Rrahu i Selmanit” mbi fshatin Strofc. Pas çlirimit, në shtator të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në Bletaj në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Me datë 23.01.2017 me Vendim të Komisionit Qeveritar, Gëzim Ramës iu dha Statusit “Dëshmor i Kombit”!

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit, Gëzim Rama, si dhe lavdi për të gjithë dëshmorët e kombit.

Lini një Përgjigje