Nëse bie për liri, mos më qani!

Në vend të përkujtimit
Shkruan: Bedri TAHIRI

Më 27 janar 2018 u mbushën nëntëmbëdhjetë vjet nga rënia heroike e dëshmorit Mehdi Sylë Haziri nga Druari i Vushtrrisë. Ajo betejë, e pabarabartë, e zhvilluar në Çeltinë, midis një dragoi sypatrembur dhe shumë çakejve karpatianë, ngeli sinonim i qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Rrjedhave të historisë
Druari, një histori në vete. Një vendbanim i lashtë i Artakollit kryengritës, i shtrirë në këmbën e mëngjer të Qyqavicës plakë. Burrat e këtij katundi rrëzbjeshkor, përherë i dolën zot atdheut. Dhe, kjo nuk do shumë koment, mjafton të hedhim kokën prapa e të përcjellim rrjedhat e historisë, të cilat na shpiejnë larg e larg…Që në kryengritjet e  mëdha antiosmane, trimat e kësaj ane, të prirë nga bajraktari Salih Çollaku, u përgjakën në betejën e Grykës së Carralevës, të cilin më pastaj turqit, e burgosen dhe e helmuan në burgun e Prishtinës. Edhe më vonë e njëjta gjë. Grykëhollat kurrë nuk e pushuan këngën e bukur të lirisë. Konaqet e tyre gjithmonë qenë dyerhapura e sofërshtruara për luftëtarët e lirisë. Edhe Azem Galica me Çetën e vet heroike aty ishte më i lirë e më i sigurt se kudo tjetër. Jo rastësisht, në atë Çetë bënte pjesë edhe trimi besnik druaras, Ramadan Ymeri- Geci, i cili në vitin 1923, tek shkonte në xhaminë e Polacit, do të vritet në pritë, bashkë me Shak Radishevën…
Druari i sakrificës, më së shtrenjti do ta paguajë Luftën e Dytë Botërore. Mbi dyzet e një të vrarë e të masakruar me nënën Halë Kuliqi. Mjafton të rikujtohet vjeshta e vitit 1944, kur, në vendin e quajtur Rruga, me urdhërin e Ali Shukrisë, në shenjë hakmarrjeje, u pushkatuan njëzet e një veta, vetëm e vetëm pse, ditë më parë, në vetëmbrojtje, kishin vrarë shtatë njerëz të OZN-ës (gjashtë partizanoçetnikë e një shqiptar). Të pushkatuarit e asaj dite janë: Asllan Salihu, Zenel Salihu, Musli Salihu, Nebih Salihu, Bislim Hajra, Hajrë Hajra, Riza Hajra, Hetem Murtezi, Hazir Ibishi, Ali Tahiri, Beqir Tahiri, Hasan Tahiri, Azem Tahiri, Kadri Ymeri, Zymber Ymeri, Shaban Ymeri, Selman Zeqiri, Zeqir Zeqiri, Man Selani, Mursel Abazi  dhe Veli Abazi.
Nga mërgimi në flakën e luftës
As në luftën e fundit çlirimtare druarasit nuk ngelën prapa të tjerëve. Mbase janë edhe ndër të parët në këto anë, që ua ngjeshen armët krahut dhe i vunë gjoksin së keqes. Veprimet e ilegales kishin lëshuar rrënjë këtu ende pa dalë hapur forca jonë çlirmtare- UÇK-ja…
Mehdi Haziri erdhi në këtë botë ditën e parë të janarit të egër të vitit 1957. Ishte një kohë zezonë, kur shqiptarët ende kullonin gjak nga plagët e shkaktura prej bishave të shfrenuar rankoviqiane. Ai qe djali i dytë i Sylë Hazirit, që, si shumica e moshatarëve të vet, u rrit në skamje e për gazep. Qysh si fëmijë shihej se ishte natyrë e zgjuar dhe kureshtare për gjëra që nuk i takonin moshës së tij. Rrëfimi, i përsëritur shpesh nga përjetuesit, për pushkatimin e gjyshit, Sejdi Hazirit, dhe burrave të tjerë, i kishte ngelur pikë në zemër. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërkaq të mesmet në shkollën teknike në Mitrovicë. Për një kohë punoi në NN “KOSOVA” të Vushtrrisë…
Gjendja në Kosovë sa vinte e ashpërsohej. Lëvizjet për ta ndryshuar realitetin e hidhur ishin shpeshtuar. Vitet e 90-ta do të mbahen mend për shumë të zeza që na rënduan mbi kokë. Të gjithë punëtorët shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës. Edhe Mehdiu pati atë fat nopran. Ai tashmë kishte krijuar edhe familje. Ishte martuar me Arifen nga Zhabari dhe kishin pesë fëmijë: Beratin, Beharin, Patriotin, Përparimin dhe Arbenitën. Ata duhej mbajtur disi, por kjo këtu ishte pamundësuar. Nisur nga kjo dhe nga  dhuna e përditshme që ushtrohej mbi shqiptarët e pafajshëm nga policia serbe, ai detyrohet të marrë rrugën e hidhur të mërgimit…
Trimi vajti fizikisht në Gjermani, por mendjen e kishte në Kosovë. Atje fill ra në kontakte me njerëz përparimtarë dhe me grupe që po përgatiteshin për një formë tjetër të rezistencës. Sa shpejt u mishërua me ta. Në çdo manifestim e në çdo protestë ishte i pari. Zemra i lotonte për atdheun e robëruar e të nënshtruar.
Dhe, ditët kalonin si për vesh gjilpëre. Ngjarjet në Kosovë shkonin rrokullimë. Ngjau edhe Qirezi e Likoshani…Ngjau edhe Prekazi, i cili lëvizi gjithë globin…Bota përparimtare u alarmua…Kushtrimi i Komandantit legjendar, Adem Jashari, tundi fusha e male. Zëri i tij kapërceu detëra e  oqeane…Mehdiu ishte i gatshëm dhe, pa u hamendur, i shqelmoi të gjitha dhe u nis si për dasmë drejt flakës së luftës…
Ushtari shembullor
Mehdi Haziri, i përgatitur fizikisht e shpirtërisht, nga Gjermania fillimisht arrinë në Shqipërinë mëmë.  Oh, sa mirë! Ishte bërë një ushtar shembullor: me uniformë të re, me kallash, me granata dore dhe me një zollë kroate. Edhe pse e kishte mbaruar shërbimn ushtarak, ndalet edhe për pesëmdhjetë ditë që të ushtrojë e të mësojë mirë e mirë artin luftarak.
Në vendlindje mbërrinë në muajin e bukur të qershive. Ishte pikërisht 1 qershori i vitit 1998. Sa u gëzua trimi kur Qyqavica e tij e dashur veç gumëzhinte nga luftëtarët e lirisë. Edhe atij iu bë zemra mal që tashmë po vepronte aty ku duhej, aty ku vdisej si me le, në trojet stërgjyshore.
Trimëria dhe aftësia e tij luftarake u sprovuan shumë shpejt. Kreu i Brigadës 142,  trimin e cakton në pikën e Sibovcit, atje ku ishte më nxehtë se kudo dhe ku matej burrëria. Aty, gati çdo ditë, kryqëzoheshin shpatat më serbët e Plemetinit, Obiliqit, Vodicës…Ato ditë, pikërisht më 11 qershor 1998, ngjau edhe beteja e njohur e Hamidisë e udhëhequr nga Komandant DURAKU (Jashar Jashari) që rezultoi me katër policë të vrarë e një pizgauer të dëmtuar). E po ashtu edhe i pëlqente atij, të vepronte hiç pa u ndalur. Uji që rri në një vend nuk pihet!- thotë një fjalë popullore. Dhe, kudo që shkonte tregonte pjekuri, maturi, guxim dhe profesionalizëm luftarak e ushtarak. Kjo u dëshmua edhe në ofensifën e egër, të shtatorit 1998. Mëqenëse u bë rrëmujë sa nuk e njihte qeni të zonë, nuk arriti të bashkohet me Njësitin e vet, por, ashtu i vetmuar, rezistoi dhe për ca kohë pengoi depërtimin e forcave serbe në thellësi të Qyqavicës. Madje, në një moment kritik, me zollën e   tij, kishte dëmtuar një tank zingjiror serb, mu afër shtëpisë së vet…
Rënia heroike
Dhe, luftëra e beteja, kacafytje e sakrifica. Agu i lirisë përherë e më afër. Forca jonë çlirimtare përherë e më e fortë. Bisha e egërsuar nga plagët vdektare, Kosovën po e kthente në varr të shkretë e në tokë të djegur. Sidoqoftë duhej mbijetuar, sepse ishim në trojet tona dhe mbronim nderin e nëpërkëmbur nga shkelësit e pabesë. Kjo u kuptua nga të gjithë dhe dalëngadalë në anën tonë po radhitej gjithë bota e civilzuar dhe NATO-ja e fuqishme…
Sërish janari i egër. Kësaj radhe ai i vitit 1999. Ishte pikërisht dita e 27 janarit. Një ditë me mjegull të dendur, që kishte mbuluar gjithë Rrafshin e Kosovës. Mehdiu për ca ditë kishte zbritur në Vushtrri që të çmallej me familjen, e cila që nga ofensiva e shtatorit kishte mbetur pa kulm mbi kokë dhe ishte strehuar tek disa të afërm në qytet. Atë ditë ishte zgjuar herët. Një mendje i tha se ishte kohë e duhur për të kaluar matanë, tek shokët, të cilët në istikame po përballeshin me mordjen vellozezë.
Pasi i përqafi fëmijët me radhë e disi përmallshëm dhe u përshëndet edhe me gruan, mësyu drejt Sitnicës. Ishte diku rreth orës trembëdhjetë. Ecte në heshtje dhe mendonte. Ah, edhe kjo mendjeshkreta ku nuk vete! Lodronte si pelë e shfrenuar, pa zënë vend askund. E kujtonte të kaluaren dhe përpiqej ta parashihte ardhmërinë…Sakaq, kur po i  kalonte shtëpitë e zhabarëve dhe po futej në Çeltinë, hasi në pritën kobtare. Djajtë e zi ishin përgatitur për ta kapur të gjallë. Ah, jo, ore jo, kot i mprehnin dhëmbet, ai nuk ishte djalë që ia ha pula kapsollin. Ashtu, gjakftohtë e pa u hutuar fare zuri pusi dhe u përgjigj flakë për flakë. Plot tri orë luftë e qëndresë, krisma e britma. Kukulelet e zemërlepujve dëgjoheshin deri larg. Gjaku i pistë skuqte dëborën e bardhë. Taktika e tij, duke i ndërruar pozicionet, i bëri të dyshojnë të mallkuarit se ai nuk ishte i vetmuar. Këtë e dëshmojnë edhe ushtarët e Batalionit II, të Brigadës 142, të ZOSH, të cilët  i kishin zënë  radiolidhjet serbe, kur lajmëronin kreun e tyre për një luftë kundër tre “terroristëve”.
Dhe, bam-bum e bam-bum. Dreq, o punë! Municioni i automatikut dhe granatat e dorës iu harxhuan deri me një. I kishte ngelur vetëm Zbrojevka, me të cilën shtiu edhe dy-tri herë në drejtim të tyre dhe paskëtaj pushoi. Kur po e ndërronte pozicionin, një plumb i mallkuar e kap mbi gjurin e këmbës së djadhtë dhe ia pamundësoi lëvizjen. Obobo! Në çast i vuri gisht kokës dhe e mendoi atë se luftëtari  i lirisë nuk guxon të bjerë i gjallë në dorë të armikut!  Kjo ishte rregullore  e kahershme. Plumbi i fundit duhej ruajtur për vete! Kështu kanë vepruar trimat tanë denbabden. Edhe Plaku i Maleve veproi kësisoj në Grykën e Dragobisë.
Dhe, një krismë e mbytur shurdhoi atë betejë të përgjakshme. Një buzëqeshje e lehtë kishte ngrirë mbi mustaqet e zeza e të holla si pendel korbi, të trimit sypatrembur…
Lugetërit ende nuk po besonin. Ishin strukur si minjtë nëpër biruca. Dikur vonë, trupin e tij të pajetë e marrin dhe e dërgojnë në spitalin e Mitrovicës, me qëllim që ta tretnin dikah. Por, OSBE-ja, që ende sorollatej këndejpari, i ra në gjurmë dhe pas dy ditësh e solli në familje.
Më 30 janar 1999, varret e reja, te lëndina Ara e Selimit, mezi  mbanin njerëzinë që kishte ardhur për ta nderuar trimin e paepur, Mehdi Hazirin. Aty erdhi e kush nuk erdhi. Erdhën shokët e tij të luftës e të idealit, erdhën miq e dashamirë. Pati edhe të atillë, që ende ishin të përgjumur dhe nuk bësonin fare në ekzistimin e UÇK-së. Të gjithë e patën të rëndë ndarjen nga ai. Rëndë e pati edhe komandanti i Njësitit, prof. Salih Salihu, i cili mbeti pa ushtarin, pa trimin dhe pa luftëtarin e pashemullt. Duke e rikujtuar atë, ai shton: Mehdiu mbeti shembull për brezat. Pas një qëndrese heroike, ashtu siç i kishte hije një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pamundësi për të shpërthyer rrethimin nga plaga e marrë në këmbën e djadhtë, vetëflijohet për të mos rënë i gjallë në dorë të armiqve!
Po familja e tij?
Edhe ajo ishte aty, gruaja dhe fëmijët, dhe qëndronin ballëlartë e krenarë. Ashtu edhe duhej se ashtu i kishte mësuar vetë Mehdiu, kur u kishte thënë: ”…erdha nga Gjermania që të luftoj për Kosovën dhe nëse bie për liri, mos më qani! Pra, kishin arsye të qëndronin ashtu, sepse Mehdiu kishte  sfiduar vdekjen dhe kishte fituar pavdekësinë.
Amaneti i tij nuk u la peng nga Njësiti i tij luftarak, nga Batalioni I i Brigadës 142 i ZOSH. Gjatë marsit të atij viti, bashkëluftëtarët e tij, për ditë të tëra luftuan dhe qëndruan në Druar, dhe kështu, këmbadorës, nxorën hakun shumëfish.
Më 1 shtator 1999 rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë, duke u nderuar me titullin Dëshmor i Kombit!