Nesër mbahet protestë para Parlamentit Evropian në Bruksel

Nesër (e martë) do të mbahet një protestë paqësore nga ora 13:00- 14:30 në “Place du Luxembourg” në Bruksel të Belgjikës (para Parlamentit Evropian ) me kërkesë për: liberalizimin e vizave, kushtëzimin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, njohje të pavarësisë nga 5 shtete evropiane (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania).

“Me nismën e profesorit Nusret Pllana, për 10-vjetorin e Kosovës si shtet, në kuadër të dorëzimit të librit të tij “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” të 751 Eurodeputetëve dhe 28 EuroKomisionerëve, do të mbahet nje protestë paqësore përpara Parlamentit Evropian”,  bëhet e ditur në komunikatën e dërguar nga Nusret Pllana.

“Me këtë rast do të kërkohet liberalizimi i vizave për banorët e Kosovës pa kushtin e demarkacionit, njohje të pavarësisë nga 5 shtete evropiane (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania), kushtëzimi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia për vazhdimin e integrimit evropian. Po ashtu do të kërkohet që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Bosnia, Mal i Zi, Maqedonia dhe Serbia) të bëhen pjesë e BE-së në të njëjtën kohë.

”Bashkatdhetarë të nderuar të Belgjikës, të Evropës e më gjerë, Kosova dhe kombi ynë ka nevojë për bijtë dhe bijat e veta”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.