Nesër protesta e opozitës, më shumë se 1000 policë do rrethojnë Parlamentin

Më shumë se 1 mijë oficer policie do të jenë para Parlamentit ditën e nesërme, gjatë protestës së opozitës.
Burime të Gazetës Mapo nga Policia e Shtetit thanë se do të jenë në gatishmëri, Forcat Speciale, FNSH dhe forcat e rendit nga 6 komisariatet e Tiranës. Policia do ta mbajë të rrethuar Parlamentin, për të mos lejuar protestuesit që të çajnë kordonin. Garda e Republikës do të jetë e angazhuar për ruajtjen fizike të deputetëve.
Edhe në protestën e së enjtes, pritet që të përdoret gazi lotsjellës nëse protestuesit do konfliktohen me Policinë.
Uniformat Blu do të jetë e vendosur me dy kordone nga Pedonalja, deri tek Rruga e “Elbasanit”. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë gjithë rrethimit të Parlamentit, do të vendosen punonjësit e rendit dhe ata Shqiponjave, ndërsa FNSH do të jenë në gatishmëri në bulevardin “Zhan Dark” dhe brenda rrethimit të Xhamisë së Namazgjasë.
Në gatishmëri për protestën do të jenë edhe ambulancat dhe zjarrfikëset.