Ngjallet Ramush Haradinaj: Ndjen keqardhje për cektësinë e kryediplomatit të ri evropian

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, me anë të një shkrimi të gjatë në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së Kryediplomatit të BE’së, Josep Borrell Fuentes, i cili tha që Kosova nuk mund të jetë shtet përderisa nuk është njohur nga shtete të mëdha sikur India, Kina dhe Rusia.

Haradinaj ka kujtuar planet për shkëmbime të territoreve të cilat kishin bekimin e paraardhëses së Borrell, Federica Mogherini, transmeton Gazeta Express

“U deshën dy vite sensibilizim ndërkombëtar dhe rezistencë aktive për mospranim të devijimit të dialogut të Mogherinit – nga ai i normalizimit të marrëdhënieve, në atë të korrigjimit e shkëmbimit të kufijve e territorit”, ka shkruar Haradinaj.

“Kur kërkova rol aktiv amerikan në dialog në fund të vitit 2017, atëkohë sapo kisha marrë detyrën e Kryeministrit, zonja Mogherini dhe ekipi i saj u alarmuan dhe anuluan konferencën e përbashkët të paraparë për shtyp. Ngjashëm ndodhi në fund të vitit 2018, kur ne asokohe veç kishim ndërmarrë masat parandaluese të nevojshme për të ndaluar avansimin e ndarjes së Kosovës.”

Andaj Haradinaj është indinjuar nga deklarata e sotme e Josep Borrell.