Ngritet aktakuzë kundër Pal Lekajt

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurori special, Faik Halili, por që nuk ka pranuar të jep më shumë detaje.

Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, Pal Lekaj, për dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, nga viti 2007 e deri në vitin 2013, kur kishte humbur garën nga Mimoza Kusari – Lila.

Pas kësaj, Lekaj ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte ushtruar edhe postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, të cilin pozitë edhe e mbanë aktualisht.