Nis detyrën Ambasadorja e re amerikane në OKB: “Do të qëndroj pranë miqve dhe aleatëve tanë”

Ambasadorja e re amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara filloi detyrën të enjten.

Kelly Knight Craft nuk do të ketë shumë kohë për t’u ambientuar, pasi ajo arrin pak më shumë se një javë para mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ambasadorja Craft ia dorëzoi letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres dhe më pas shkoi në Këshillin e Sigurimit.

Ajo u prit ngrohtësisht nga kolegët e saj të rinj dhe më pas votoi duke mbështetur tre rezoluta.

Siç shkruan Zëri i Amerikës pas raporteve nga Korrespondentja e tyre në OKB, Margaret Besheer, Kelly Knight Craft u tha gazetarëve se nuk është vetëm e dërguara e Presidentit Trump në OKB, por edhe një zë për angazhimin e Amerikës për lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

“Në një botë të përfshirë nga kriza humanitare, sfidat gjeopolitike, udhëheqja e fortë amerikane është absolutisht kritike dhe unë synoj ta siguroj atë. Unë do të mbroj vlerat dhe interesat e Amerikës. Do të qëndroj pranë miqve dhe aleatëve tanë. Do të mbështes të varfërit dhe të pambrojturit. Dhe kurrë nuk do të ngurroj të punoj me ata që vërtet dëshirojnë të çojnë përpara kauzën e dinjitetit njerëzor.”

Craft, ish-biznesmene nga Kentucky, dhe burri i saj, Joe, ekzekutiv miliarder i industrisë së qymyrit, janë të mirënjohur në qarqet republikane si donatorë të mëdhenj. Ata kontribuan 1 milion dollarë në garën presidenciale të Presidentit Trump në vitin 2016.

Presidenti Trump e emëroi atë në postin e ambasadores amerikane në Kanada dy vjet më parë. Mandati i saj u dominua nga negociatat për arritjen e marrëveshjes së re tregtare SHBA-Kanada-Meksikë.

Ambasadorja Craft u konfirmua për postin e saj në OKB më 31 korrik, me një shumicë të thjeshtë në senatin amerikan, ku disa demokratë u ankuan se ajo nuk kishte përvojë të mjaftueshme në politikën e jashtme.

“Zonja Ambasadore më lejoni të jem e sinqertë, kam rezerva të thella në lidhje me mungesën e kualifikimeve tuaja për një rol kaq kompleks dhe sfidues. Historikisht, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në OKB kanë sjellë përvojë të rëndësishme ekzekutive ose përvojë të drejtpërdrejtë pune në politikën e jashtme”, that senatori demokrat Bob Mendez.

Mungesat e saj të mëdha nga ambasada në Kanada, më shumë se gjysma e 608 ditëve në punë, gjithashtu ishin temë shqyrtimi.

Zonja Craft ka pak më shumë se një javë kohë para se udhëheqësit botërorë, përfshirë shefin e saj, të arrijnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.