Nisin bisedimet për qeverinë e re në Maqedoni

LKontaktet mes partive politike për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut kanë filluar, edhe pse ka pasur paralajmërime se bisedimet do të nisin pas 2 gushtit.

Alsat mëson se këtyre ditëve ka pasur kontakte mes të gjitha partive.

LSDM-ja e Zoran Zaevit është e bindur se shumë shpejtë do ta formojë qeverinë e re e cila do të fokusohet siç thonë realizimin e pritjeve të qytetarëve.

Nga ky subjekt mbeten në qëndrimin se bisedimet do të nisin pas 2 gushtit, ndërsa nëpërmjet një komunikate thonë se negociatat për anëtarësim në BE nuk mund t’ia lënë në duar tjetër kujt.

Edhe në VMRO DPMNE thonë se po zhvillojnë bisedime joformale me të gjitha partitë politike, të cilat kanë fituar mandate.

Nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se synojnë të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së re. Thonë se fuqia e tyre me 12 mandate do të jetë vendimtare për formimin e qeverisë. Shefik Duraku thotë se të gjithë partitë i kanë dyert e hapura për bisedime, por një partneritet eventual me BDI e shohin vështirë të realizueshëm.

Nga BDI mbeten në qëndrimin se në zhvillimin e bisedimeve për partneritet në qeverinë e re prioritet do të kenë respektimin e tri marrëveshjeve, të Ohrit, Prespës dhe me Bullgarinë, duke e lënë nën hije premtimin parazgjedhorë për një kryeministër shqiptar.