Nitaj: Ekipi Negociator t’i ndërpresë të gjitha takimet në Bruksel

Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Muharrem Nitaj ka kërkuar nga Ekipi Negociator që t’i ndërpresë të gjitha takimet në Bruksel, deri në një përgjigje zyrtare nëse deklarata e Maja Kocijançiqit për Trepçën, është qëndrim i saj personal, apo qëndrim i BE-së.
Nitaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Trepçën as komunistët jugosllavë nuk e kanë parë si aset të Serbisë!
Postimi i plotë Nitajt:
“Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkoj nga Ekipi Negociator që t’i ndërpresë të gjitha takimet në Bruksel, deri në një përgjigje zyrtare nëse deklarata e Maja Kocijanciq për Trepçën është qëndrim i saj personal apo qëndrim i BE-së!
Nëse është kjo e dyta, atëherë Kosova nuk duhet ta pranojë ndërmjetësimin e Federica Megerinit në këto bisedime.
Trepçën as komunistët jugosllavë nuk e kanë parë si aset të Serbisë!
Dhe për kujtesën e të gjithëve e posaçërisht të këtyre zyrtarëve të Bashkimit Evropian, në Trepçë ka filluar shkatërrimi i Jugosllavisë Komuniste! Muharrem Nitaj, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nitaj.