Nitaj për Kadri Veselin, Enver Hoxhajn…: Kanë dezertuar ata që merrnin merita për taksën

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj i ka dalë në përkrahje Ramush Haradinajt për veprimet e tij lidhur me kërkesën e amerikanëve për të tërhequr taksën ndaj produkteve serbe.

Nitaj ka thënë se ata që merrnin merita se kush vendosi taksën ndaj Serbisë e Bosnjës kanë dezertuar dhe janë fshehur.

Nuk ka përmendur emra, por, merita për këtë taksë kanë marrë zyrtarët e PDK-së e NISMA-s.

Muharrem Nitaj ka pyetur nëse Ramush Haradinaj duhet të jetë i vetëm në betejën për mbrojtjen e taksës.

“Ra ky mort e u pamë dhe edhe ata që ende nuk kanë guxim të shprehen kundër taksës, nuk thonë “Kryeministër jemi me ty”, por i sugjerojnë atij që më mirë të japë dorëheqje se sa ta heqë taksën. Thua që kjo taksë është e Ramush Haradinjat dhe vetëm ai duhet të luftojë e ta mbrojë atë”, ka thënë Nitaj.

Ky zyrtar i AAK-së është treguar i ashpër me udhëheqësit e PDK-së që po kërkojnë heqjen e taksës. Ka thënë se të njëjtit po flasin sikur taksa ishte kundër SHBA-së e BE-së.

“Madje qe vlerësuar si vendimi më i rëndësishëm i kësaj Qeverie, meritat për të cilin u munduan t’i marrin nga i pari te i fundit. Por pak ditë më vonë, e pas reagimit amerikan, ata që e kishin mbështetur, filluan të dezertojnë e të distancohen nga taksa, dhe të flasin sikur ajo ishte taksë kundër ShBA dhe BE! Prandaj a duhet që Kryeministri Haradinaj të shndërrohet në luftetarin e fundit edhe për mbrojtjen e kësaj takse, kur të tjerët tashmë po bëjnë sehir!”, ka shtuar Nitaj.