Një 28 Nëntor ndryshe

Shkruan: Lavdim Klinaku

Po prisja durimshëm e po përgatitesha t’festoja si çdo herë më parë. Një ngjarje e kobshme në prag feste goditi kombin tim, vendin tim. Festa u përmort. Manifestimet e datës 28, që zakonisht festoheshin me 27, filluan të anuloheshin dhe, pothuajse u anuluan, ndonëse jo të gjitha përnjëherë, një nga një deri tek e fundit. Me dhembshuri para televizorit u mundova të shikoja çdo detaj të kësaj ngjarje zisjellëse. Festa u skuq, por, kësaj here jo me flamuj, po me gjak.

Një tragjedi që erdhi panatyrshëm nga natyra kaloi numrin tre tek dyshifrorët me njerëz të vdekur, me qindra t’plagosur e mijëra la të pa strehë në këtë pragdimri që veçse ka filluar shtrëngimin e dhëmbëve.

Shqiptarët, padrejtësisht, të quajtur “këndej” dhe “andej”, si tash ashtu edhe para dy dekadave, ndonëse në role të kundërta, dëshmuan fuqishëm si atëherë, ashtu edhe tash, se janë bashkë e janë mbi çdo organizim politik.

Shpirtmadhësia, si atëherë, edhe tash, u tregua se nuk lidhet veç me paratë, ngase
mobilizimet e shumëta që nga kontigjentet ushtarake e policore deri tek pjesa ku njerëzit zhveshin rrobat e trupit për t’ua dërguar, tashmë njerëzve në nevojë për gjithçka. “Dikur ata për ne, sot ne për ata” ishte sllogani rreth të cilit u krijiua mobilizim gjithëkombëtar.

Mjekërrbardhi nuk m’doli sot përpara siç m’dilte çdo mëngjes të kësaj date. Mirëpo, mjekërrbardhët (populli më i mirë në botë) sollën dhuratat më të çmuara nga qenia e vet për t’ua siguruar gjërat elementare për jetë – ushqimin e strehimin. Ndonëse më shumë se një shekull më parë, Faik Konica, kishte lënë porosi të shkruar te “Albania 2” , e me të cilën po e përmbyllë shkrimin tim duke e parë atë në praktikë.

“Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”.

Shpresoj të mos na bashkojnë veç krizat!

Zoti i bekoftë shqiptarët!