Një burrë i armatosur vjedh ambulancën dhe godet këmbësorët në Oslo

Një burrë i armatosur e ka vjedhur një automjet të ambulancës në Oslo të Norvegjisë dhe me të i ka goditur disa njerëz, përfshirë një foshnjë, para se të qëllohej nga policia.

Raportohet se disa njerëz janë goditur rreth orës 12 e 30 minuta. Policia e plagosi sulmuesin e dyshuar dhe e arrestoi atë. Merret vesh se ai nuk është lënduar rëndë.

Në pamjet e publikuara në medie shihet një autoambulancë e aksidentuar në lagjen Torshov të Oslos, ndërsa dëshmitarët i kanë dëgjuar disa të shtëna me armë.

Një zëdhënës i policisë tha: “E kemi marrë nën kontroll një autoambulancë që ishte vjedhur nga një person i armatosur. Policia e ka qëlluar personin e dyshuar. Ai nuk është plagosur rëndë”.

Policia refuzoi t’i komentojë raportimet se është vënë në kërkim të një personi tjetër dhe nuk tregoi nëse incidenti po cilësohet si sulm i qëllimshëm.

Autoritetet nuk dhanë informacione për numrin e personave që janë goditur nga automjeti apo nëse dikush ka vdekur nga lëndimet, shkruan “Daily Mail”.