Një jetë përpjekje dhe sakrifica për idealin kombëtar

0
220

NJË JETË PËRPJEKJE DHE SAKRIFICA PËR IDEALIN KOMBËTAR
26.12.2019
Mësuesja atdhetare Nazire Curaj)

Shkruan Nexhmedin Gerguri

Më 14 dhjetor të këtij viti (2019) ndërroi jetë mësuesja atdhetare Nazire Curaj. Gjatë gjithë jetës ajo punoi për idealin e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, për çka ishte edhe e përndjekur, e burgosur, e torturuar, e leçitur, e divorcuar, fatkeqësisht edhe e harruar.

Hajrullah Koliqi / Prishtinë

Nazirja lindi më 1946, në lagjen e Curajve të Krajës së Shkodrës (në Mal të Zi). Rrjedh nga një familje e respektuar dhe përparimtare për kohën. Ishte njëra nga dy vajzat e para kranjane, të cilat pasi kishin kryer shkollën tetëvjeçare në Krajë (Ostros), vazhduan arsimin e mesëm. “Pse kena metë na qorra me sy në ballë, kjo le të mësojë e le ta njohë botë”, kishte thënë babai i saj (Zeneli), kur e kishte lejuar dhe dërguar për t’u regjistruar në shkollën normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, në gusht të vitit 1962. Si normaliste ajo ishte nxënëse e dalluar si në mësim, ashtu edhe në sjellje. Ishte model për t’u ndjekur për nxënësit tjerë, sidomos për nxënësit nga Kraja që u regjistruan në këtë shkollë gjatë viteve që pasuan. Pak para diplomimit, për shkaqe ekonomike, në vitin 1966 ajo u punësua si mësuese në shkollën tetëvjeçare në Ostros, ndërsa shkollimin (diplomimin) e përfundoi me korrespondencë. Kështu, Nazire Curaj ishte mësuesja e parë shqiptare e lindur në Krajë (mësuesja e parë në Krajë).

Një vit më vonë, në vitin 1967, mësuesja Nazire Curaj emigron ilegalisht në Shqipëri, ku qëndroi deri në vitin 1971. Atje ishte mësuese dhe studente, siç thotë ajo. Në gusht të vitit 1971, nga Shqipëria u kthye dhe u vendos jo në vendlindje, por në Ferizaj, për t’iu shmangur burgosjes në Mal të Zi. Në Ferizaj punoi si mësuese dhe u angazhua në veprimtari patriotike. Ndërkohë edhe u martua dhe lind tri vajza drenicase. Në vitin 1981, ajo ishte pjesëmarrëse dhe organizatore e demonstratave të nxënësve në Ferizaj. Po atë vit, me porosinë e veprimtarit Abdullah Prapashtica (siç konfirmon ajo), shkoi ilegalisht në Krajë dhe formoi grupin patriotik “Jehona e Krajës”, shkroi pamflete politike dhe i shpërndau ato. Emigron serisht në Shqipëri, tani me detyra politike. I tillë ishte edhe emigrimi ilegal dhe qëndrimi i saj në Shqipëri prej 22-27 dhjetor 1984 “për të marrë udhëzime e instruksione (ndihmë morale e material për fillimin e luftës)” për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar.

Krahas me veprimtarinë patriotike, prej vitit 1967-1992, Nazirja kaloi një kalvar të vërtetë. Ajo ishte e përndjekur nga UDB-ja, e burgosur disa herë, jetoi në skamje dhe vuajtje. Prindërit dhe vëllau, ndërkohë i vdiqen, shumë nga të afërmit e leçiten, bashkëshorti e braktisi. Ajo mbeti e vetmuar si një eremit vetëm me vajzat e saj. Kalvari i Nazires do të përkeqësohet shumë me arrestimet dhe burgosjet e shpeshta, në: Ferizaj, Nish, Prishtinë, Beograd, Shpuzë (Mali i Zi) etj. Atë e burgosën edhe në burgun e Mitrovicës, ku “udbashët”, policët, gardianet e burgut, e torturuan në mënyrat më mizore, bashkë me bashkëvuajtëse të tjera në atë burg, anëtare të grupit ilegal “Ideali” të Pejës. Ndër “udbashët” e torturuesit tjerë të saj në Kosovë ishin: Gjergj Berisha, Zymer Zymeri, Sherafedin Ajeti, Selim Brosha, Nezir Sherifi etj., kurse në Mal të Zi “udbashi” famëkeq Millorad Brajeviq me bashkëpunëtorë etj. Në burgun e Mitrovicës, thotë ajo, “lashë 15 dhëmbë e dhëmballë”, “gjaku më shkonte curril nga hunda, veshi e goja”, “ku shpesh nuk isha e zoja të ngrihem as në këmbë”, por “përpiqesha të qëndroja”. Në një vjershë të pabotuar të saj veçojmë vargjet kuptimplote: “Si feniksi unë jam ba”/ “Shumë herë vdiqa dhe u ngjalla”.

Naziren e torturuan fizikisht dhe mendërisht, por ajo nuk u ligështua as nuk u frikësua, qëndroi e mbijetoi e bindur thellë në idealin e saj kombëtar, siç dëshmon edhe me këto vargje: “Unë veç Zotit i frigohem”/ “Dhe lypi nga Ai bekim”/ “Që në jetë t’sakrifikohem”/ “Për ATDHE e për BASHKIM”. Udhërrëfyes dhe model për rrugën dhe qëndresën e saj Nazirja kishte atdhetarin e ideologun e çështjes kombëtar, Metush Krasniqin (1927-1986), të cilit i kushtoi edhe vjershën me titull “Të madhit Metush Krasniqi”, ku veçojmë këto vargje: “O i madhi DAJA METUSH”/ “Sikur Ti s’luftoi ASKUSH”/ “Luftove për SHQIPTARI”/ “Sikur jasht, ashtu n’qeli”. Respekt të veçantë kishte edhe për shoqet e saj të burgut, sidomos për veprimtaren Hava Shala, të cilën e cilëson si “Lulja e Kombit”. Vargje të tjera u dedikoi edhe shoqeve, bashkëveprimtareve e bashkëveprimtarëve të tjerë, të cilët i ndihmuan asaj gjatë shkollimit, strehimit në ilegalitet dhe veprimtarisë së saj.

Deri në vitin 1992 Nazirja ishte pothuaj e braktisur, e harruar, pa punë e pa kulm mbi kokë. Mbijetoi dhe vajzat e saj i rriti me shumë vështirësi. Në vitin 1992, rifilloi punën dhe u strehua përfundimisht në banesën e saj në Ferizaj. Deri në ditët e fundit të jetës së saj, Nazire Curaj preokupohej me zhvillimet politike e sociale në Kosovën e lirë e demokratike dhe përgjithësisht në SHQIPTARI. Na la në moshën 73 vjeçare. Kështu, pushoi së rrahuri zemra e madhe e kësaj veprimtareje idealiste, të urtë dhe trime për Shqipërinë etnike.

E pavdekshme je Ti dhe do të jesh, o Nazire Curaj (Kraja)!