Një Maji- Festë apo Protestë?

Shkruan: Bujar Klinaku

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve- 1 Maji, lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, e përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886.

“8 orë punë, 8 orë pushim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855, e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga Kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ata që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate ishin pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866, shteti i Illinois miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte shumë kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh, ku rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane.

Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës, si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë.

Një Maji i vitit 1886, ishte ditë e shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen, 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Milwaukee, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën, e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje, pa asnjë provë tetë eksponentë anarkikë. Dyve prej tyre, dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në çeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës.
Më 20 korrik 1889, Kongresi Themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 maj 1890 manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima. Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.

Një Maji në Kosovë

Një Maji do të duhej të ishte festë e punëtorëve, por në Kosovë kjo festë sikur edhe shumë festa të tjera ka humbur kuptimin e mirëfilltë. Nuk festohej më si dikur, kur ndizeshin zjarre në natën e festës së punëtorëve, kur këndohej dhe vallëzohej rreth tyre, kur çdo shtëpi kishte të punësuar dhe rrjedhimisht edhe të ardhura të nevojshme për një jetë normale.
Ndërtimi i një shoqërie demokratike dhe shteti ligjor është synim i shoqërisë tonë. Këtë përcaktim e ka theksuar si orientim të saj edhe Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës. Një nga testet themelore të këtyre proceseve demokratike është gjithsesi; niveli i zhvillimit të dialogut social.

Dialogu social është me rëndësi të madhe për proceset demokratike që lidhen me integrimet evro-atlantike. Mirëpo, dialogu social nuk guxon të jetë vetëm si synim teorik, përcaktim i programeve partiake e qeveritare. Ai duhet të bëhet realitet dhe vetëm atëherë, e si i tillë mund të fitojë në peshën e tij, vetëm në rrethana të tilla mund të vlerësohet roli dhe rëndësia e vërtetë e tij.

Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve tjera relevante, të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve, nuk duhet t’i mjaftojë vetëm deklarimi verbal për dialog, nuk është i mjaftueshëm vetëm formimi i Këshillit Ekonomiko-Social dhe i Zyrës Teknike të këtij Këshilli, por me rëndësi është se çka trajtohet, si trajtohet dhe cilat janë rezultatet konkrete, të ndjeshme, të prekshme, me të cilat do të zgjidheshin çështje e halle të shumta me të cilat po përballen punonjësit, pensionistët dhe kategoritë e tjera të shoqërisë sonë.

Nuk është me rëndësi vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve si rezultat i këtij dialogu, siç është rasti i Kontratës Kolektive në nivel vendi, e atyre sektoriale, por zbatimi i atyre marrëveshjeve, respektimi i të drejtave të punës dhe i rezultateve të saj, respektimi i Konventave Ndërkombëtare që lidhen me këto të drejta, respektimi i infrastrukturës ligjore në fuqi dhe miratimi i infrastrukturës së re në frymën e këtyre Konventave.

Nuk mjafton vetëm vullneti i shprehur dhe premtimet e tyre, por me rëndësi është zgjidhja dhe realizimi i kërkesave konkrete!

Lini një Përgjigje