Një muaj paraburgim për ish-zyrtarin e AKI-së

0
142

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurit M.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të KPRK-së, Keqpërdorimi i informatës zyrtare nga neni 416 të KPRK-së, Hyrja në sistemet kompjuterike nga neni 327 të KPRK-së, Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara nga neni 125 të KPRK-së dhe Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.K. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit M.K. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është mirë e bazuar, në këtë fazë të procedurës.

I pandehuri M.K. dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterike të AKI-së dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale të cekura më lartë.