Një vit nga fitorja e titullit, Khabib synon sërish duelin e pamundur

Një vit më parë, Khabib Nurmagomedov fitonte titullin kampion bote të peshës së lehtë, duke mundur Al Iaquinta, me këtë të fundit që pranoi të ngjitej në kafaz vetëm 24 orë para duelit. Rusi duhej të duelonte për titullin kampion bote, që ishte vakant, ndaj Tony Ferguson, por ky i fundit u dëmtua rëndë në gju një javë para sfidës.

Kjo sfidë mes Tony Ferguson dhe Khabib Nurmagomedov duket e mallkuar, pasi 4 herë është punuar që të realizohet kjo sfidë dhe po kaq herë ka dështuar. “Kjo sfidë ndaj Tony do të ishte e përshtatshme për mua në këto momente. Mbetet dueli me pritshmërinë më të madhe aktualisht në Divizionin tonë. Fansat kanë vite që e rpesin këtë sfidë”, tha Nurmagomedov.

“Edhe drejtuesit e MMA-së ma konfirmojnë këtë, pasi shohin komentet në rrjetet sociale. Unë nuk e di se si është situata me Ferguson, është gati apo jo. Di që po kalon një moment jo të mirë familjar, ndaj duket se kjo sfidë mes nesh mbetet e mallkuar, e pamundur. Sporti ëhstë një pejsë e jetës, familja një tjetër, ndaj uroj që Zoti ta ndihmojë”, u shpreh Nurmagomedov.

Më tej, kampioni i pamposhtur rus tha: “Unë shpresoj që një ditë të realizohet kjo sfidë. Ndoshta që në shtator, kur unë do të rikthehem në kafaz. Uroj që ne të dy të duelojmë një ditë në kafaz, për të thyer këtë mallkim”. Khabib Nurmagomedov është i pezulluar deri në fillim të qershorit dhe pritet të mbrojë titullin në shtator./telesport