Një vit pas Demarkacionitme Malin e Zi, s’ka as korrigjim e as viza

Kuvendi i Kosovës para një viti e ka miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Prej asaj kohe nuk ka ndodhur rishikimi i vijës kufitare, siç pretendonte pala kosovare, e as vendi nuk e ka fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, shkruan Gazeta “Zëri”.

Është bërë një vit i plotë prejse Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Më 21 mars 2018 deputetët arritën ta miratonin marrëveshjen e nënshkruar më 2015-n, e cila nga opozita e atëhershme qe kundërshtuar fuqishëm.

Por ndonëse sa ishte në opozitë rreshtohej krah kritikëve më të ashpër të Demarkacionit, kryeministri Ramush Haradinaj posa mori timonin e Qeverisë vendosi ta jetësonte këtë marrëveshje duke votuar pro saj, shkruan Gazeta “Zëri”.

Megjithëkëtë, një gjë të tillë nuk e bëri pa u nënshkruar fillimisht një marrëveshje tjetër mes Kosovës e Malit të Zi, në të cilën thuhej se palët pajtohen që një trup punues t’i identifikojë dhe t’i adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit. Por tash kur është bërë një vit prejse Demarkacionit i është dhënë drita jeshile, nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë marrë asnjë hap konkret që do të çonte drejt rishikimit të vijës kufitare./zeri.info/