Njerëzit ju gjykojnë në bazë të dy kritereve

0
384

Njerëzit krijojnë përshtypjen e parë për ju brenda pak sekondave që ju takojnë, por çfarë saktësisht janë duke vlerësuar ata?

Profesoresha e Harvardit, Amy Cuddy, ka studiuar përshtypjet e para bashkë me kolegët e saj për më shumë se 15 vite, dhe ka zbuluar disa gjëra interesante.

Në librin e saj, ‘Presence’, Cuddy thotë se njerëzit iu përgjigjen shpejt dy pyetjeve kur ju takojnë për herë të parë:

1: A mund t’i besojë këtij personi?
2: A mund ta respektojë këtë person?

Psikologët i referohen këtyre dimensioneve si ngrohtësia dhe kompetenca – ideale është që të perceptoheni se i keni që të dyja.

Megjithatë, Cuddy thotë se shumica e njerëzve, posaçërisht në kontekstin profesional, besojnë se kompetenca është faktor më i rëndësishëm. Pas së gjithash, ata duan që ju t’ua dëshmoni se jeni të mençur dhe mjaftueshëm të talentuar për ta udhëhequr biznesin.

Por në fakt, ngrohtësia, apo besueshmëria, është faktori më i rëndësishëm në atë se si njerëzit ju vlerësojnë.

Cuddy thotë: “Nga perspektiva evolucionare, është më kruciale për mbijetesën tonë ta dimë se a e meriton një person besimin tonë apo jo”.

Kjo ka kuptim nëse e konsideroni faktin se në periudhat e shpellave ka qenë më e rëndësishme ta dini nëse dikush do t’ju vriste dhe t’jua vidhte të gjitha gjërat sesa nëse kishte qenë mjaftueshëm kompetent për ta ndezur një zjarr.

Megjithëse kompetenca vlerësohet tejet lartë, Cuddy thotë se ajo vlerësohet vetëm pasi të jetë krijuar besimi.