Njoftohet se do të hapet konsullatë e përbashkët Shqipëri-Kosovë në Çikago

569

Me datë 9 Mars 2018, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Çikago, në krye me z. Gjaneto Harusha, organizuan një pritje solemne për Ambasadoren e Kosovës në Washington, znj. Vlora Çitaku.
Pas një programi të shkurtë artistike ku pjesëmarrës ishin aktori i mirënjohur nga Çikago, Pajazit Murtishi, dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Kongresi i Manastirit,” fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, z. Gjaneto Harusha. z. Harusha pasi përshëndeti mysafirët, ndër të tjera theksoi së “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka nevojë për të avancuar lidhjet me atdheun, me qëllim ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare.”

Ndërsa, Ambasadorja Çitaku përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë shqiptarët në Illinois dhe rrethinë për pritjen madhështore. Ne fjalën e saj, ajo dha lajmin për hapjen në Çikago të konsullates së përbashkët Kosovë-Shqipëri brenda një viti. Ambasadorja njoftoi të pranishmit se ministri i jashtëm i Kosovës z. Pacolli dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë z. Bushati janë në fazën finale të kordinimit për hapjen e konsullatës së përbashkët në Çikago. Ajo poashtu nënvizoi nevojen për inkuadrimin e diaspores në trajtimin dhe menaxhimin e problemeve në vendlindje.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan e dekoroi Ambasadoren Çitaku me një mirenjohje për kontributin e saj në përfaqësimin e denjë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Mbrëmja festive përfundoi me një forum pyetje dhe përgjigje për Ambasadoren Çitaku, gjatë të cilit pati një interesim shumë të madh nga të pranishmit.
(Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Illinois)