Nuk ia dorëzoi dokumentet, policia kontrollon ministrinë e Pal Lekajt

Policia e Krimeve Ekonomike ka qenë në fillim të javës së kaluar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Në maj të këtij viti, Departamenti Special Antikorrupsion në kuadër të policisë së Kosovës me kërkesë të Prokurorisë Speciale ka kërkuar dosjet origjinale për tri projektet tenderuese nga ministria e Infrastrukturës. Por, ministria që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së nuk ia dha dokumentet.

Lajmi.net ka mësuar se Departamenti Special Antikorrupsoion ka shkuar në ministri javën e kaluar paparalajmërim, nga ku ka marr të gjithë dokumentacionet që i kishte kërkuar.

“Hetuesit policor kanë qenë të martën, pasi ministria nuk ua ka dërguar as me e-mail as në formë fizike dokumentet që i kishte kërkuar hetuesia. E kanë mbushur plot një gepek të kerrit me dokumente”, tha për lajmi.net një burim brenda MIT.

Bëhet fjalë për dosjet e tri kontratave që janë në realizim e sipër: 1). Struktura në Zgjerimin e rrugës Nacionale N91, segmenti Dollëc –Gjakovë L-31.00 KM, Lot 1, 2 dhe 3” 2). Ndërtimi i rrugës Babush-Tërn- Luboc –Koshare –Slilovë” 3) “Mbikalimi në Polluzhë km 1 +635.50” dhe “Mbikalimi në Terstenik km 3+249.81”. Po ashtu, edhe disa dokumente që lidhen me punën e sekretarit dhe të drejtorit të prokurimit.

Ditë më parë lajmi.net ka raportuar lidhur me kërkesën që i kishte parashtruar hetuesia ministrisë për dosjet e tri projekteve tenderuese.

Lajmi.net kishte kërkuar përgjigje nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit lidhur me bllokimin e këtyre lëndëve për hetuesit, por nuk kishte marrë përgjigje. Nuk ishte përgjigjur as Prokuroria Speciale lidhur me atë se si do t’i sigurojë lëndët origjinale të këtyre tre tenderëve për të cilët ka iniciuar hetim për favorizime për kompani të ndryshme, mbi bazën e tre kallëzimeve penale.

Lajmi.net ka mësuar se menjëherë pasi policia mori nga ministria këto dokumente, në hetuesi për intervistim ka qenë zyrtarja e MIT, Blendona Gegolli, e cila njëkohësisht ka qenë anëtare e komisionit vlerësues në këta tender.

Punë me hetuesit gjatë ditës se djeshme (e hënë) ka pasur edhe shefja e Prokurimit të ministrisë së Infrastrukturës, Valmira Bllaca. Sipas burimeve jo zyrtare ajo është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë lidhur me një aktakuzë që rëndon mbi të në kohën sa ka qenë në krye të prokurimit të Policisë së Kosovës. Lajmi.net, para pak ditësh ka raportuar lidhur me ketë aktakuzë ku është e përfshirë Bllaca dhe disa zyrtarë tjerë të policisë së Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit-MIT, është vënë në shënjestër të hetuesisë për dallavere të mundshme me disa tenderë.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë kanë nisur hetimet edhe për tre tenderë milionësh të realizuar nga ministria e Infrastrukturës.