Nuk shkon Albini, por shkon Ramushi: Haradinaj bën homazhe tek varri i Rugovës, thotë se nuk po e bën për fushatë

0
267

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj të hënën ka bërë homazhe tek varri i ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sipas tij kjo vizitë nuk ka motive të fushatës dhe se kjo datë ka qenë e dakorduar javë më herët në ditëlindjen e Nënë Terezës.

Politikën e ish-presidentit Rugova, Haradinaj e ka vlerësuar si humane, paqësore dhe në mbrojtje të të drejtave të popullit të vet.

“Ka një kohë që jemi dakorduar për një datë të tillë për një vizitë në familje , realisht disa javë më herët edhe është edhe vullneti i familjes por për datë e kemi dakorduar datën e ditëlindjes së Nënës Terezë në njëfarë mënyre është presidenti Rugova ka qenë po ashtu një politik humane, paqësore me interes të popullit të vetë , në mbrojtje të të drejtave të popullit të vetë. Fushata shyqyr që erdh se e kanë kërkuar të gjithë“, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj u shpreh se nuk e di nëse presidenti Thaçi do t’a shpallë sot datën e zgjedhjeve.

Por sipas tij në ditën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës e cila ndodhi me 22 gusht, u tregua që Kosova ka nivel të lartë të demokracisë.

“Nuk e di se a do e shpall sot nëse e shpall sot pse jo, e tani është vetëm është në kompetencat dhe autorizimet të veproj, meqenëse parlamenti është shpërndarë ajo që dua të them edhe njëherë me e përsëritë sepse e shoh se po ik pa e vu në shprehje mjaftueshëm është se vërtet kemi treguar se jemi një demokraci e avancuar, kemi pjekuri politike, pra mënyra e shpërndarjes së parlamentit është një nivel i lartë i demokracisë në Kosovë“, deklaroi ai.

Haradinaj pas homazhe te varri i ish-presidentit, ka vizituar edhe familjen Rugova por praninë e mediave.

Kujtojmë që deri tek shpërndarja e Kuvendit të Kosovës e cila hapi rrugët drejt zgjedhjeve, erdhi pasi që kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi mori ftesë nga Gjykata Speciale.