Nysret Maxhera: Statuti i Trepçës shumë i vonuar

Disa ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi statutin e ndërmarrjes “Trepça” si shoqëri aksionare duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit mbi këtë ndërmarrje që pronësinë e kalon nga Agjencia e Privatizimit te Qeveria e Kosovës.

Ndaj këtij veprimi reagoi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila tha se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogardit në Bruksel.

Nysret Maxhera, ish- ekonomist i kësaj ndërmarrjeje, ka thënë se nuk e ka befasuar ky reagim i BE-së.

Por, sipas tij kjo temë është hapur si pasojë e hapjes së temës së korrigjimit të kufijve.

Çështja e hapjes së korigjimeve kufitare patjetër që e ka sjellë në rend dite edhe hapjen e problemit të menaxhimit të Trepçës kur dihet se çfarë resurse, pasurish dhe rezerva minerare ka Trepça”.

“Nuk na ka befasuar sidomos neve të cilët kemi punuar, jemi rritur dhe jemi pranë Trepçës”.

Miratimin e statutit të Trepçës, Maxhera e sheh si hap të vonuar.

“Edhe tash kur është punuar statuti i Trepçës nuk është në përputhshmëri me Ligjin për Trepçën sepse tash në statut e kanë futur edhe Metalurgjinë e Plumbit, Energjetikën dhe shumë objekte që tash janë në Zveçan dhe nuk menaxhohen nga shqiptarët”.

“Çështja e BE-së që po e kërkon [Trepçën] është se organet tona kanë rënë në gjumë. Me vonesë janë bërë të gjitha veprimet rreth Trepçës”.

“Sot nuk ka Mitrovicë pa Trepçë. Nuk ka as Kosovë pa Trepçë”.

“Veprimi i BE-së, gjegjësisht i disave, duhet ta shohim se nga po vjen – a po vjen nga Rusia, Serbia apo nga një interes privat që duan ta shkatërrojnë Trepçën në përgjithësi”.

“Pas 20 vjetësh po e sjellim një statut të Trepçës është e vonuar. Ditët e para të pasluftës, metalurgjia ka qenë funksionale ashtu sikur edhe akumulatorët – vetëm është dashur të veprohet menjëherë dhe jo t’i mbyllin të gjitha”.

Maxhera në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Trepça, në anën veriore, menaxhohet nga serbët të cilët nuk raportojnë për punën dhe shpenzimet.

“Çështja e menaxhimit të Trepçës, në anën veriore e kanë serbët dhe nuk di unë që i referohen ose raportojnë Prishtinës – që t’i japin raport për mjetet e shpenzuara, shitjen e aseteve dhe të tjera”.

“Po e shtroj një pyetje: Sa kontrolle financiare, prodhuese apo teknike kanë pasë minierat e veriut – çfarë raportesh, të hyrash dhe shpenzimesh kanë për një njësi prodhimi”.

Ai ka treguar më në detaje se çfarë asetesh i kontrollojnë serbët në këtë gjigant xehtaro-metalurgjik.

“Serbët nën diktatin e tyre e kanë Kopaonikun në tërësi që janë tri-katër miniera dhe flotacioni që punon në kuadër të saj”.

“Shënimet e fundit që i kam marrë unë kanë qenë 1000 të punësuar në minierën e Kopaonikut ose ndoshta edhe më shumë. Përndryshe edhe punëtorët që janë larguar nga puna dhe nuk kanë mundur të kthehen në vendet e punës marrin një pagesë plus pensionet e Serbisë i shfrytëzojnë apo të hyrat nga Serbia në investime të ndryshme”.

Ish-ekonomisti i Trepçës ka thënë se ai ka qenë kundër miratimit të Ligjit për Trepçën sepse i njëjti nuk e rregullon çështjen pronësoro-juridike dhe menaxhuese të këtij gjiganti.

Madje ai thotë se pavarësisht që me Ligjin për Trepçën nuk ka ndarje të këtij kombinati, në praktikë ndodh e kundërta.

“Kur lexohet Ligji për Trepçën nuk është ndarje por nga aspekti i funksionalizimit janë dy Trepça – ne mund ta gënjejmë veten por ky është realiteti në terren”.

“Investimet që ka bërë Stantërgu, Trepça qysh prej fillimit dhe i ka ndërtuar të gjitha minierat, ky Ligj nuk po i përfshin. Në Vranjë ka qenë miniera e Trepçës, ka qenë në Rudnik dhe ajo askund nuk përmendet si pronë e as si aset i Trepçës”.

“Trepça nuk ka qenë po ashtu vetëm miniera dhe metalurgjitë por kanë qenë edhe kapacitetet prodhuese. Kanë qenë dy fabrika me rëndësi, Fabrika e Municionit në Skenderaj  që dikush e largoi nga Trepça dhe Fabrika e Llamarinës në Vushtrri që po ashtu u largua nga kombinati Trepça – kur dihet se garancionin dhe kreditë i ka dhënë Trepça”.