OAK: Ligji i punës po shkelet nga ana e institucioneve të Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës mbajti konferencë me temën “Shkelja e ligjit të punës nga ana e institucioneve në Kosovë”. 

Aty u tha se ligji aktual i punës është i dëmshëm dhe i paqartë, ku dy nenet bien në kundërshtim me njëri-tjetrin sa i përket orëve të punës dhe pushimit ditor.

Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të merret me ligjin e punës dhe të rregullohen dispozitat e paqarta që të kemi një ligj të mirëfilltë që do t’i shërbejë si të punësuarve ashtu edhe punëdhënësve.

Sipas OAK, në sektorin publik punohet 35 orë në javë dhe jo 40 si është e paraparë me ligj dhe se sipas tyre kjo sjellë humbje rreth 88 milionë euro nga të punësuarit në këtë sektor.

Anëtari i Bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj tha se Oda e Afarizmit të Kosovës ka analizuar në detaje Projektligjin e Punës dhe ka evidentuar disa pika të cilat shihen si problematikë dhe janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke ndikuar që dispozitat e këtij ligji të kenë implikime negative si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

“Si çështje shumë të rëndësishme theksojmë orarin e punës, ku në Ligjin aktual, Neni 20 i përcaktimit të orarit të punës, thekson që: Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit dhe orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe. Ndërsa, Neni 28 që rregullon pushimet dhe mungesat nga puna thekson që: Koha e pushimit nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, konsiderohet si kohë e kaluar në punë”, deklaroi Malushaj.