OAK: Të miratohen urgjent pakot mbështetëse, bizneset po falimentojnë

Odës së Afarizmit të Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka kërkuar që urgjent të zbatohet plotësisht Pakoja Emergjente Fiskale, të votohet rishikimi i buxhetit dhe të bëhet miratimi i Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Drejtues kësaj Ode kanë kërkuar të veprohet shpejt për mbështetjet të prodhuesve dhe punëtorëve, pasi bizneset po falimentojnë.

Anëtari i Bordit të OAK, Hamdi Malushaj theksoi se fatkeqësisht sektori privat është më i godituri nga COVID-19, duke shkaktuar mbylljen e shumë bizneseve dhe vendeve të punës.

Teksa shton se tash e pesë muaj masat e Pakos Emergjente nuk po mund të zbatohen, masa këto të cilat vet institucionet e shtetit i kanë propozuar.

“Bëjë thirrje që urgjente për miratimin e pakos dhe rishikimin e buxhetit për pandeminë Covid-19. Ne si biznese e hetojmë e shohim, e përcjellim punën e institucioneve tona dhe jemi të brengosur shumë pasi sektori privat duke qenë barometër i mirë i matjes së zhvillimit ekonomik, kurse në kurrizin tonë përplasen edhe vështirësitë dhe përparësitë nëse ka ndonjë herë. Situata politikë qeverisëse e të gjitha qeverive ne kemi arrit në pikën më të dobët”, theksoi Malushaj.

Ai po ashtu ka kërkuar që të ulet në 5 përqind TVSH-ja për gastronomi dhe turizëm.

Ndërsa, Diamant Elshani sekretar i bordit, ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që sa më parë të miratohet Pakoja për Rimëkëmbje, pasi bizneset po falimentojnë.

Elshani thotë se nëse të zgjedhurit tanë dëshirojnë ta tregojnë veten, ka ardhur koha e veprimit.

Ai thotë se punëtorëve sa më parë duhet t’u paguhen pagat e dyta nga 170 euro dhe zbatimi masave tjera për bizneset.

“Deri tash ne kemi parë vetëm një 170 euro që është dhënë për një pjesë të të punësuarve e që për një pjesë tjetër ende s’është realizua. Duke u bazuar në punët tonë, ne deri më tani kemi parë vetëm një veprim dhe të gjitha të tjerat që janë folur deri tani janë fjalë dhe vetëm fjalë. Kështu që kërkojmë që të veprohet sa më shpejt, përkrahje për prodhues nuk ka, edhe kreditë e rregullta janë stopuar komplet prej bankave. Pra, ka shumë probleme që ne si biznese me ec për para dhe u zhvillua. Përkrahje për prodhues dhe punëtor nuk ka, është ndërprerë. Jemi shumë keq, kemi dalë në këtë konferencë të jashtëzakonshme që të kërkojmë prej shtetit tonë, prej të zgjedhurave tanë ta rishikojnë buxhetin dhe t’i miratojnë urgjent pakot e rimëkëmbjes, përndryshe, ne falimentuam”, tha Elshani.

Në fund, OAK thotë se situata mund të eskalojë për shkak të krizës sociale si rrjedhojë e problemeve në sektorin privat si pasojë e pandemisë COVID-19.