OBSH: Në tregun botëror po shitet një ilaç i rremë për kancerin

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka lëshuar një njoftim paralajmërues për tërë botën, duke kërkuar nga pacientët, mjekët dhe barantoret që të kenë kujdes nga një lloj ilaçi i rremë për kancerin, i cili po qarkullon në Evropë dhe Amerikë.

Ky ilaç është i paketuar në atë mënyrë që të duket si ilaçi “Iclusig”, i cili përbëhet nga ponatinibi. Ky përbërës shërben për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga leukemia kronike meloide dhe leukemia akute limfoblastike. Mbishkrimi në paketim është në gjuhën angleze, ndërsa është zbuluar se kutitë me pilula prej 15 dhe 45 miligramësh përmbajnë vetëm paracetamol.

“Në këtë ilaç të rremë nuk ka përbërës aktivë, prandaj ky çmim është shumë i lartë. Është dukuri e rrezikshme. Jemi të brengosur për këto mashtrime”, tha Michael Deats, udhëheqës i grupit mbikëqyrës për ilaçe të rreme në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

Ai thotë se ky ilaç është i pazakonshëm sepse përmban vetëm paracetamol dhe se falsifikimi i ilaçeve për kancerin është dukuri e rrallë. Sipas tij, ilaçet që falsifikohen më së shpeshti janë antibiotikët dhe ilaçet që përdoren për trajtimin e malaries.

Mashtrimin me këtë ilaç e ka zbuluar një shitës me shumicë në Zvicër, i cili i ka lajmëruar menjëherë autoritetet, shkruan “The Guardian”.

Lini një Përgjigje