O’Connell: Ambasadori zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell i ka dalë në mbrojtje ambasadorit zviceran Jean-Hubert Lebet, deklarata e të cilit ka ngjallur reagime të shumta.

O’Connell shkruan në Facebook se ‘ambasadori zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë”.

Ja postimi i tij në FB:

Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë.

Ndryshe, Ambasadori Lebet, ka marrë pjesë para dy ditësh në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt, duke thënë se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, ngase sipas tij, Kosova ka para, por nuk duhet keqpërdorur.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhej jo për të financuar veteranët e rrejshëm do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka më shumë shërbyes civil tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, kishte deklaruar ai, përcjell Periskopi.

Për këtë deklaratë, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se ‘po të pyetej ai, menjëherë do t’ia dërgonte një letër ambasadorit zviceran për ta larguar nga Kosova’.

Deklarata e Lekajt ka ngjallur reagime të tjera, që kryesisht e shohin absurd qëndrimin e tij.