Oda e Afarizmit të Kosovës: Kuvendi i Kosovës po miraton ligje pa konsultim paraprak me bizneset

Oda e Afarizmit të Kosovës ka dalur me deklaratë për dialogun publiko-privat.

Deklarata e Odës së Afarizmit të Kosovës, mbi ligjet dhe pengesat e të bërit biznes, në konferencën e mbajtur sot, për dialogun publiko-privat në Kuvendin e Kosovës me odat dhe bizneset:

“Problemi më i madh sot në Kosovës është ngecja në zhvillimin ekonomik. Ky parlamnet dhe kjo sallë janë fajtori kryesor për këtë. Arsyeja është miratimi i ligjeve pa konsultim paraprak me bizneset.

Marrja e ligjeve nga vendet e ndryshme të Evropës, përkthimi i tyre dhe aprovimi nga kuvendi sa për sy e faqe se janë ligje evropiane në përputhshmëri me MSA-në dhe direktivat evropiane e tjera e kanë rënduar edhe më shumë të bërit biznes dhe pothuajse e kanë shkatërruar edhe më shumë ekonominë tonë.

Shembull nënshkrimi i CEFTA-s pa asnjë kusht dhe pa mbrojtje të asnjë produkti, ndërkohë që vendet tjera i kanë mbrojtur qindra produkte, ka qenë fillimi i ndalimit të zhvillimit të vendit.

Sot Kosova e ka diferencën më të keqe në raport me importin dhe eksportin pavarësisht përpjekjeve të qeverive të ndryshme deri më tani, deri edhe të qenit krenar se kanë ndihmuar shumë vendin dhe kemi rritjen më të madhe në rajon dhe Evropë.

Sot Kosova 90% importon dhe 10% eksporton. Askush në Evropë nuk e ka këtë. Asnjë shtet në Ballkan nuk e ka këtë.

Kosova vazhdon të ketë eksportin me qindra miliona ndërsa vendet e rajonit me disa miliarda.

Fajtor tjetër jemi ne bizneset dhe odat të cilat nuk kemi arritë që problemet e të bërit biznes t’i dërgojmë në vendin e duhur dhe të luftojmë që gjendja të mos vije këtu ku jemi”.