Opozita e Kosovës, veç “një tigër prej letre”

Shkruan: Fadil Maloku

1. Opozita (LDK-ja dhe LV-ja, por jo edhe fraksioni i saj tash, PSD-ja, që është bërë pjesë e qeverisë) me indiferencën, neglizhencën, sidomos me agresivitetin e heshtur, në temat e karakterit nacional dhe shtetëror, lëre që e ka degraduar e shëmtuar diskursin dhe kultin mbi demokracinë e pluralizmin politik, por edhe e ka vonuar (për të mos thënë bastarduar) nevojën e ndryshimit të “etheve” të tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova në këto dy dekada koti.

2. Opozita me (argatët e djajve qeveritarë të pasluftës) qëndrimin jokoherent në publik, me akuzat dhe kundërakuzat improvizuese e joatraktive për temat, shqetësimet dhe mundimet jorelevante nëpër të cilat po i kalon vendi, jo vetëm se nuk po demonstron fuqi dhe karizmë të numrave (se e ka shumicën shqiptare pas vetes), pr, nuk po dëshmon as fuqi e as sens e interesim për ta ndryshuar gjendjen shpërthyese, ekonomike dhe sociopolitike.

3. Duket që ajo këtë po e bën qëllimisht dhe për disa arsye; a) ka vlerësuar (pa matje të duhura në publikun e gjerë) që temat si demarkacioni, gjykata, e sidomos tema e “korrigjimit” (lexo copëtimit) është ajo “patatja e nxehtë” të cilën mund ta kryejnë vetëm aktorët (alias komandantët) e luftës; b) ka nuhatur qartë gabimisht, se temat dhe problemet nacionale së bashku me ato shtetërore i takojnë ekskluzivisht qeverisë; c) ka nënvlerësuar dhe nënçmuar “peshën e vet specifike” në raport me pakicën aktuale qeveritare; d) ka demonstruar deri më tani vetëm “fuqi tigri prej letre”, sidomos kur janë në pyetje krimi, korrupsioni, papunësia dhe varfëria marramendëse; e) ka kultivuar e ndërtuar atmosferë fatpajtuese dhe koketuese me qeverinë (fraksioni i LV-së) në vend të një “agresiviteti” evident demokratik, në parlament, në medie e, pse jo, edhe në rrugë; e) ka kalkuluar (duke mos u ofruar alternativa) me kurtuazi shëmtuese, me aleatë dhe miqtë ndërkombëtarë; f) ka injoruar trendët e pakënaqësisë sociale dhe ato ekonomike të vendit; g) ka margjinalizuar rolin dhe rëndësinë e shoqërisë civile dhe të medieve neutrale.

Lini një Përgjigje